E premte, 25 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Greqia po përpiqet të rikthejë punëtorët e kualifikuar

Greqia po bën përpjekje intensive për të bindur qytetarët e saj – veçanërisht profesionistët – të kthehen në vend. Por Greqia nuk është i vetmi vend që ka probleme me kthimin e të larguarve.

Irini Kapogianni ka klinikë dentare në Athinë. Por përvojën e saj ajo e fitoi në Düsseldorf. “Ende mbaj mend se si takoheshim të dielave në kafenetë greke, lexonim lajmet dhe gazetat dhe pyesnim veten nëse do të ishim ndonjëherë në gjendje të ktheheshim në vendin tonë.”

Ashtu si Kapogiann, veçanërisht gjatë krizës, shumë grekë u larguan nga atdheu i tyre. Sipas të dhënave të qeverisë greke, që nga viti 2010, më shumë se gjysmë milioni qytetarë grekë kanë ikur jashtë vendit. Kjo është një humbje shumë e madhe e punonjësve të kualifikuar për ekonominë greke.

Shumica e tyre shkuan në Gjermani, si Irini Kapogianni. Ajo e përshkruan karrierën e saj në Düsseldorf si një ëndërr që nuk e besonte kurrë se do të ishte e mundur. “Nga ana tjetër, më mungonte ngrohtësia e shtëpisë dhe familjes. Kjo është arsyeja pse kishte shumë dyshime”, thotë ajo dhe shton: “Më duheshin vite për të vendosur nëse do të kthehesha apo do të qëndroja.”

Reklamë

Vendimi i saj u bë më i lehtë nga fakti se ekonomia greke është rikuperuar së fundi. Sot, Greqia po rritet më shpejt se mesatarja e BE-së, ndërsa papunësia ka rënë. Kjo ka ndryshuar edhe pamjen e migrimit. Në vitin 2024, për herë të parë, numri i grekëve që largoheshin nga Gjermania ishte më i lartë se numri i atyre që lëviznin drejt saj.

Ekspertët po largohen ngadalë nga Perëndimi

Mund të thuhet se ky është një lloj sinjali paralajmërues, ose një shembull i një trendi më të gjerë evropian të migrimit, thotë Julia Reinold nga Instituti për Kërkimin e Tregut të Punës dhe Profesioneve (IAB) në Nuremberg. Kjo tregon se punëtorët janë gjithnjë e më të nevojshëm në vendet e tyre të origjinës brenda BE-së, sepse ndryshimet demografike po shkaktojnë probleme gjithnjë e më të mëdha në tregun e punës atje.

Kthimi i punëtorëve në atdheun e tyre mund të krijojë vështirësi të tjera për tregun gjerman të punës. Në fund të vitit të kaluar, rreth 350,000 grekë jetonin në Gjermani, thotë Reinold. Ky është një grup i rëndësishëm për tregun e punës.

Të dhënat tregojnë se emigracioni grek në Gjermani ka rënë vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, ato tregojnë se “shumë grekë po mendojnë të largohen nga Gjermania ose tashmë po e planifikojnë atë”, thotë ekspertja. Preferencat personale si moti dhe stili i jetesës luajnë një rol të rëndësishëm. Por ka edhe kushte politike në Gjermani, si taksat dhe burokracia.

Përfitimet e Greqisë

Ndërkohë, qeveria greke po përpiqet në mënyrë aktive të tërheqë ekspertët e saj përsëri në vend. Në panairet e punësimit jashtë vendit, ajo paraqitet nën sloganin “ReBrain Greece” dhe kërkon kthimin e ekspertëve. Konstantinos Agrapidas, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Punës, njofton se së shpejti një ngjarje e ngjashme duhet të organizohet edhe në Gjermani.

Mynihu u zgjodh si vendi i ngjarjes. “Shumë grekë jetojnë atje, midis 8,500 dhe 9,000 ekspertë me arsim të lartë në mjekësi, IT, siguri kibernetike dhe prodhim.”

Për të inkurajuar kthimin, qeveria premton, për shembull, përfitime tatimore: për shtatë vjet ata do të paguanin vetëm gjysmën e taksës së tyre mbi të ardhurat. Përveç kësaj, Greqiaka lehtësuar njohjen e kualifikimeve profesionale të fituara jashtë vendit.

Agrapidas beson se një kthesë ka ndodhur tashmë, duke pretenduar se rreth dy të tretat e grekëve që emigruan gjatë kohës së krizës janë kthyer tani më në vendlindje.

Cilat janë nevojat e Greqisë?

Ekonomisti Yiorgos Ioannidis i Qendrës për Planifikim dhe Kërkime Ekonomike (KEPE) i kundërshton këto të dhëna. Ekonomia, e cila mbështetet shumë në turizëm, ende ofron shumë pak mundësi për njerëzit me arsim të lartë dhe shumë të kthyer ankohen për pagat e ulëta. “Pothuajse gjashtë nga dhjetë të anketuar thonë se janë në një situatë të vështirë ose mjaft të vështirë financiare”, thotë Ioannidis. Pra, nuk është aspak e vërtetë që ata “u kthyen dhe më pas e gjetën veten në një pozicion shumë më të mirë”.

Irini Kapogianni nuk ka përfituar financiarisht nga kthimi i saj. Për ta bërë më të lehtë për të kthyerit, ajo themeloi rrjetin Back to Greece. Të kthyerit shkëmbejnë përvoja dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Në profilin e saj në Instagram ka ndërkohë rreth 27.000 ndjekës. “Unë besoj se edhe të rinj të tjerë duhet të kthehen nga jashtë. Për të ndihmuar vendin tonë, i cili është përballur me vështirësi për kaq shumë vite”, thotë Kapogianni./DW

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.