
Bashkimi Evropian duhet t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor një plan konkret për anëtarësim në zonën Shengen, me qëllim rikthimin e besueshmërisë së bllokut në rajon. Ky është rekomandimi i Christoph Bender, zëvendëspresident i Qendrës Evropiane për Iniciativa për Stabilitet (ESI), publikuar në gazetën zvicerane Neue Zürcher Zeitung.
Sipas Bender, BE-ja po përballet me vështirësi në ushtrimin e ndikimit në fqinjësinë e saj të afërt, ndonëse historikisht procesi i zgjerimit në këtë zonë konsiderohej si një nga arritjet më të mëdha të politikës së jashtme evropiane. Ai propozon që shtetet anëtare t’i kërkojnë Komisionit Evropian hartimin e një katalogu me kritere të qarta të bazuara në legjislacionin e Shengenit, përfshirë kontrollin e kufijve të jashtëm, politikën e vizave, bashkëpunimin policor, mbrojtjen e të dhënave dhe sundimin e ligjit.
Në kuadër të këtij mekanizmi, Komisioni Evropian do të raportonte çdo gjashtë muaj mbi ecurinë e reformave, ndërsa anëtarësimi do të miratohej nga shtetet anëtare vetëm pas përmbushjes së plotë të kushteve. Bender nëvizon se ky proces do të stabilizonte zona më të ndjeshme si Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Kosova, duke ofruar një alternativë konkrete përballë rikthimit të narrativave nacionaliste dhe ideve për ndryshimin e kufijve etnikë.
Përgjatë këtyre zhvillimeve politike, gazeta gjermane Die Zeit raporton mbi planet e qeverisë në Berlin për uljen e numrit të emigrantëve të punës nga rajoni përmes rishikimit të të ashtuquajturës “Rregullore për Ballkanin Perëndimor”. Kjo rregullore u mundëson qytetarëve nga Shqipëria, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia të punësohen në Gjermani me një kontratë pune brenda kuotës vjetore, pa pasur nevojë për dëshmi të gjuhës apo kualifikimeve profesionale
Pasi kuota vjetore u dyfishua në 50 mijë persona gjatë vitit 2024, koalicioni qeverisës gjerman po shqyrton përgjysmimin e saj përsëri. Megjithatë, ky plan po përballet me kundërshtime të forta nga ekonomia vendase.
Shoqata Federale e Punëdhënësve Gjermanë (BDA) deklaron se kërkesa për fuqi punëtore mbetet tejet e lartë, veçanërisht në sektorët e ndërtimit, logjistikës dhe gastronomisë. Po ashtu, Vanessa Ahuja nga Agjencia Federale e Punësimit paralajmëron se reduktimi i kuotave do ta dobësonte një model të suksesshëm migrimi dhe do t’u vështirësonte kompanive qasjen te krah i nevojshëm i punës. Qëndrime kundër kufizimit të rregullores kanë shprehur edhe zëra brenda parlamentit gjerman, si deputetja e CDU-së, Sandra Karstensen.