Dorëheqja urgjente e Edi Ramës nuk është më vetëm një kërkesë e opozitës, por edhe e ndërkombëtarëve

Dorëheqja urgjente e Edi Ramës nuk është më vetëm një kërkesë e opozitës, por edhe e ndërkombëtarëve

Nga Ndriçim Kulla - 25/09/2026

Nëse konjukturat gjeopolitike dhe përparësitë e epokës së rënduar ku po jetojmë, me luftëra e konflikte, i kanë detyruar të kenë qenë të shurdhëta ose të kenë mbyllur një sy, përpara prioriteteve të tjera, tanimë kjo alibi ka rënë. Tanimë, skandali i cenimit të sigurisë sonë kombëtare prek njëherësh të gjithë ato organizma e institucione ku ne aderojmë ose jemi anëtarë, prek dhe cenon direkt edhe sigurinë kombëtare të vendeve të tyre. Nëse ndërkombëtarët nuk duan të dëgjojnë zërin e opozitës, që me vite e ka dokumentuar rrezikun e regjimit Rama të lidhur me krimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës, nëse ndërkombëtarët nuk duan të dëgjojnë as edhe popullin shqiptar, rininë e së ardhmes së tij, që tash 100 e ca ditë ka dalë në shesh, kundër tij personalisht, duke e bërë këngë e bejte për dorëheqjen, ndërkombëtarët së fundi duhet të dëgjojnë edhe shërbimet e tyre sekrete, raportet e tyre për rrezikun që u kanoset sigurisë kombëtare të vendeve të tyre, nga bandat shqiptare, të cilave u fiken radarët e shtetit shqiptar, që të vërshojnë lirisht në Europë e në botë punët e tyre të pista. Nuk ka turp a gjëmë më të madhe diskreditimi, se sa ky që ti i ke lënë, o Edi Rama, vendit tonë, në gjithë historinë e shtetit shqiptar!

Nëse Balluku e Veliaj ishin veglat e tua politike, dil e thuaj tanimë publikisht, se Agasi e Vlora Hyseni janë veglat e tua të nëndheshme të politikës së krimit dhe grupeve kriminale. Po, po. Që të dy janë bashkëpunëtorët e tu më të afërt, madje për Vlorën Hysenin ti ke luftuar me opozitën që e ka kundërshtuar në Kuvend, dhe më e keqja, ke shpërfillur shkarkimin dhe njollosjen e saj me fakte për rrjedhje të qëllimshme informacioni sekret nga institucionet e Kosovës. Dil e përgjigju popullit e ndërkombëtarëve, pse mbaruan profesionistët shqiptarë, që ti të zgjedhësh për interes të kalenderit tënd antikombëtar, si matuf i rrjedhur që je transformuar, po të njëjtin emër që të tjerët e shkarkojnë, e të shoqëruar me lidhje dhe CV tërësisht të papërshtatshme për postin? Pse, se dije ti, o tuhaf trushpëlarë, se si këshilltarja jote e sigurisë, ajo nuk mund t’i kalonte testet e pajisjes me dy certifikatat më të larta të sigurisë së një shteti? Si i mori ajo këto dy certifikata? A mos vallë i falsifikoi? Kush ia falsifikoi? Kush i jep asaj fuqinë të fikë radarët e një shteti? Se s’ka teveqel, si ty, që të besojë se radarët i fik një njeri i vetëm, dhe të tjerët nuk shohin, nuk dinë?

Jo, jo, ti nuk je as tuhaf, as teveqel e as matuf, as përgjegjësia e Hysenit nuk është personale, ashtu siç po përflitet shumë në mediat e pushtetit. Po njëlloj, dua t’i shkel me këmbë edhe arsyetimet e luftës së brendshme për pushtet. E aq më keq të flas për jetën paralele të orgjive apo erotikën destruktive të pushtetit. Jo, jo, ti je i qëllimshëm në gjithçka që ke bërë, e ke zgjedhur pikërisht për këtë gjë, për këtë ves që ajo ka, të rrjedhë informacionin. Po ku vallë? Për çfarë? E ke drejtuar, e ke mbrojtur dhe ke mbyllur të gjithë sytë e veshët e shtetit, që të mos pyeste e kontrollonte se çfarë bëhej me radarët. Një vepër e tillë nuk i takon dot as SHISH e as kryetares së saj, i takon kryetarit të qeverisë, që je ti, Edi Rama, dhe presidentit tënd të zgjedhur që po e shtrëngon fort si noter. Një fuqi të tillë s’e ka askush, as Agasi, as Hyseni, e ka hosteni yt, Edi Rama, sepse ti i përdor aty të dy si guri i qoshes që je, i mafies shqiptare të trafikut ndërkombëtar. Ndaj, njerëzit po tromaksen nga çfarë po dëgjojnë, një shtet i tërë që fiket përpara krimit. E të mendosh që është vetëm pjesa romantike e ajsbergut të krimit. Po pjesa kriminale, po pjesa brutale e përdorimit të shtetit deri ku shkon?

Nuk po flas për opozitarët, se tashmë ata e dinë mirë se kush je ti, as për rininë e përditshme në shesh, se ajo t’i ka bërë vezë e domate fjalët e propagandën boshe, po flas për socialistët që e duan këtë vend. Një shtet që përdoret për drogë e punë të pista, infekton të ardhmen e fëmijëve tanë, na infekton dhe jetën tonë, na mbyt, na asfikson, na vdes. Asnjë fjalë, asnjë reagim, qoftë edhe nga një deputet i vetëm, tregon se përfaqësimi politik i Partisë Socialiste ka rënë, është i mbuluar nga turpërimi historik i shtetit, nga gjëma kombëtare e një shteti kriminal. Propaganda e nacionalizmit dhe mbrojtja e UÇK-së, në momentin më të keq, është mbuluar me hirin e rënies së shtetit shqiptar. Iu takon socialistëve të thjeshtë, që e duan këtë vend, të dalin në shesh e të mbrojnë nderin dhe dinjitetin kombëtar, të nëpërkëmbur për vite me radhë nga Edi Rama e veglat e zgjedhura prej tij.

Së fundmi, velloja e iluzionit është çarë edhe për ndërkombëtarët. Të kenë kujdes kur të takojnë tani e tutje Edi Ramën, sepse ato duar mund të fikin të gjithë radarët e të infektojnë të gjitha shtetet me drogë e trafiqe. Të kenë kujdes kur flasin dhe promovojnë, se nga era e pistë e atyre trafiqeve mund të infektohen fëmijët e qytetarët e vendeve të tyre. Se që sot e tutje ai nuk vetëquhet më lideri ndërkombëtar i rajonit, po lideri infektues i trafikut ndërkombëtar!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco