Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja me armë zjarri e ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Manati të Lezhës. Nga veprimet hetimore dhe dëshmitë e mbledhura, dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes dy personave, babë e bir dhe punonjësit të një servisi, Danjel Pikuli.
Sipas të dhënave, babë e bir kishin dërguar automjetin për riparim e janë konfliktuar për pagesën e shërbimit të makinës. Kjo dyshohet se ka sjellë përplasjen me punonjësin e servisit, e që më pas përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit.
Për pasojë, Danjel Pikuli mori një plagë në bark dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. I riu i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, dy personat e dyshuar për ngjarjen janë identifikuar nga policia dhe u shpallën në kërkim. Uniformat blu po vijojnë kontrollet për kapjen e tyre, ndërsa identiteti nuk iu është bërë ende i ditur zyrtarisht. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave e motiveve të ngjarjes.