Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja me armë zjarri e ndodhur mesditën e së enjtes në fshatin Manati të Lezhës. Sipas të dhënave të deritanishme nga hetimi dhe dëshmive të mbledhura, ngjarja dyshohet se nisi pas një konflikti mes dy personave, babë e bir, dhe punonjësit të një servisi, Danjel Pikuli. Dyshohet se përplasja ka nisur për pagesën e riparimit të automjetit që ata kishin dërguar në servis.
Konflikti më pas ka përshkallëzuar, duke përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit. Si pasojë, Danjel Pikuli është qëlluar në bark dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Aktualisht, i riu ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, policia ka identifikuar dy personat e dyshuar për plagosjen dhe i ka shpallur në kërkim. Forcat e policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e tyre, ndërsa autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe motivit të konfliktit.