
Policia e Lezhës ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorët e plagosjes me armë zjarri të ndodhur ditën e djeshme në fshatin Manati.
Mësohet se autorët janë babë e bir Gjergj Voci, 47 vjeç, dhe Seldo Voci, 23 vjeç. Sipas informacioneve të bëra publike nga policia, shkak për plagosjen është bërë një sherr për motive të dobëta mes tyre dhe Daniel Pikulit, 31 vjeç.
Sipas informacioneve, babë e bir nuk kishin rënë dakord për faturën e shërbimeve të Pikulit për automjetin që ia kishin dërguar për ta rregulluar. Pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë tregojnë se mes tyre nisi një përplasje fizike që degradoi në përdorimin e armës.
I riu u qëllua me disa plumba në bark dhe u transportua për në spitalin e Traumës, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për kapjen e autorëve, ndërsa materialet proceduriale i kaluan prokurorisë së Lezhës. Versus.al

