Plagosja me armë e Daniel Pikulit, identifikohen autorët, shpallen në kërkim babë e bir

25/09/2026 10:37

Zbardhen detaje të reja në lidhje me plagosjen me armë e shtetasit Daniel Pikuli ditën e djeshme në Lezhë.

Korrespondentja e Top Channel, Brixhilda Deda, ka mësuar emrat e personave të shpallur në kërkim, të dyshuar si autorët e ngjarjes. Në kërkim janë shpallur Bebi (Gjergj) Voci dhe Ariseldo Voci, babë e bir.

Burime bëjnë me dije se kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin e konfliktit, ku tre personat dyshohet se janë përfshirë fillimisht në një përplasje fizike. Më pas, njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri ndaj Pikulit duke e lënë të plagosur.

Pas ngjarjes, dy të dyshuarit janë larguar me një automjet tip Volkswagen. Policia ka mundur t’i gjurmojë lëvizjet e mjetit deri në Shënkoll të Lezhës, ndërsa janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përgjatë autostradës Lezhë-Laç, me qëllim dokumentimin e itinerarit të ndjekur pas largimit nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë, Daniel Pikuli vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve dhe, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore ende të paqëndrueshme, nuk ka dhënë deklarimin e tij para grupit hetimor.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e përgjegjësisë së personave të shpallur në kërkim.

Top Channel