Zjarr në një anije mallrash në veri të Mykonosit, evakuohen 29 persona

Një zjarr ka rënë mëngjesin e së premtes, 25 shtator, në një anije mallrash e cila po lundronte në very të Mykonosit.
Në bord ndodheshin 29 persona, 28 anëtarë të ekuipazhit dhe një pasagjer, drejtues i një kamioni.
Të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë evakuuar në mënyrë të sigurt.
Sipas informacioneve të fundit, zjarri ka shpërthyer në një nga garazhet e anijes. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që flakët të kenë nisur nga një automjet i transportuar në bord.
Në vendngjarje kanë mbërritur mjete të shumta të Rojës Bregdetare, të Shërbimit Zjarrfikës dhe dy rimorkiatorë, ndërsa në operacion po marrin pjesë edhe anije të tjera që ndodheshin pranë zonës.
Sipas njoftimit të autoriteteve, zjarri u konstatua në orën 08:57. Menjëherë u aktivizuan procedurat e sigurisë dhe ekuipazhi nisi përpjekjet për shuarjen e zjarrit me mjetet e anijes. Më pas u krye evakuimi i organizuar i të gjithë personave në bord.




