DURRËS- Vetëm 2 muaj ka qëndruar në qeli ish-drejtoresha e Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj e akuzuar se përvetësoi mbi 700 mijë euro të destinuara për pensionet. Në një seancë të zhvilluar paraditen e sotme në Gjykatën e Durrësit, gjyqtari Xhevdet Lika ka pranuar kërkesën e saj për një masë më të lehtë sigurie dhe ka vendosur ta lirojë nga qelia.
Ndaj saj është caktuar tashmë masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Seanca është zhvilluar pa praninë e mediave, ndërsa burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se gjyqtari vendosi lirimin e Matajt nga qelia me argumentin se rrethanat kanë ndryshuar. Megjithatë, ende nuk dihet se cilat janë rrethanat e reja që çuan në zbutjen e masës së sigurisë.
Pak ditë para se Mataj të lirohej nga qelia, bashkëshorti i saj Fetah Mataj u promovua në poste drejtuese në Bashkinë e Durrësit, duke u emëruar Përgjegjës për Evadimin e Mbetjeve Urbane.
Më 18 korrik, Gjykata e Durrësit caktoi ndaj Matajt masën arrest në burg, që ishte lënë në fuqi edhe nga Apeli. Mataj dyshohet se bashkë me ish-shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana, të dyja në masën arrest në shtëpi, përvetësuan 700 mijë euro të destinuara për pensionet në Krujë dhe Shijak.
Pamjet e Matajt teksa i merrte paratë në zyrë me qese të zeza bënë xhiron e rrjetit, ndërsa fondet e shtetit regjistrohet sikur ishin dërguar për pensionet. Prokuroria po heton edhe dyshimet se paratë mund të jenë shpenzuar në kazino nga ish-drejtoresha e Postës së Durrësit.
VENDIMI I GJYKATËS SË DURRËSIT
Çështja penale me Nr. 509/5 Akti, me objekt “Informacion 2 mujor në lidhje me ecurinë e proçedimit penal, në varësi të permbajtjes të ketij informacioni kërkojmë dhe zëvendësimin e masës së sigurimit”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës (Kërkuese), përfaqësuar nga Prokuror Gazmend Frëngu. Kjo çështje u shortua elektronikisht pranë Gjyqtarit Xhevdet Lika Seanca gjyqësore u zhvillua në datë 25.09.2026, ora 09:00.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, për çështjen e sipërcituar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka disponuar me Vendimin Nr. 509/5, datë 25.09.2026, ku ka vendosur:
VENDOSI
1. Pranimin e kërkesës të personit nën hetim Elisabeta Mataj.
2. Zëvëndësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj personit nën hetim E.M. me vendimin Nr.509/2, datë 18.07.2026, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 K.Pr.Penale.
3. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të personit nën hetim E. M. nga dhomat e paraburgimit nëse nuk mbahet e paraburgosur për ndonjë vepër tjetër penale.
4. Urdhërohet personi nën hetim E. M. të qëndrojë dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen nr.xx, Qyteti Durrës.
5. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) diteve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të gjykatës.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
-
Ne Shqipei ben burg vetem kush nuk ka para.
Përgjigju -
Rëndësi ka që i shoqi qenka emëruar përgjegjës për Evadimin e Parave
Përgjigju -
Mire ja ka bo gjykata se ka vjell pak,i denojne te tjeret per dicka me te vogel se jane njerez ne nevoje ndersa kto hajdutet me shkolle i lene te lire,duket qe paguhen nga to,prandaj kerkojne edhe nga 10000mije euro ne muaj se nuk I dalin per jete luksoze ketyre mistrave tegjykates
Përgjigju










Komente
Komento