TIRANË- Tre anëtarë të KLGJ do të zgjidhen sot nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve, për një mandat 5-vjeçar. Në fjalën e tij, kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi u ndal te përplasja me ekzekutivin për pagat e magjistratëve, duke thënë se fjalën përfundimtare do ta thotë Gjykata Kushtetuese, vendim i cili theksoi se duhet të zbatohet nga të gjitha palët.
Sipas tij, tryeza e propozuar nga Rama nuk mund të zëvendësojë procesin kushtetues dhe as të përdoret për të negociuar vendimet e Gjykatës. Kryetari i Gjyjkatës së Lartë, tha se sot vendit i duhet një “Tryezë për funksionimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë”, i duhet një proces institucional me vështrim afatgjatë, ku secili pushtet të marrë përgjegjësi për çështjet që i përkasin dhe ku bashkëpunimi të çojë në zgjidhje konkrete.
Pjesë nga fjala e Sadushit
Kjo mbledhje zhvillohet në një moment kur debati publik ka sjellë përsëri në vëmendje marrëdhëniet ndërmjet pushteteve, autoritetin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe garancitë që lidhen me statusin e gjyqtarit. Ky nuk është objekti i mbledhjes së sotme, por nga çdo mosmarrëveshje institucionale duhet të dimë të nxjerrim mësime.
Pavarësia e institucioneve nuk provohet kur të gjithë janë dakord. Ajo provohet pikërisht kur lind mosmarrëveshja. Atëherë shihet nëse institucionet dinë të argumentojnë, të mbrojnë kompetencat e tyre, të përdorin mjetet kushtetuese dhe të dialogojnë pa hequr dorë nga parimet.
Kam mbrojtur dhe vazhdoj të mbroj dialogun institucional. Ndarja e pushteteve nuk nënkupton mungesën e dialogut ndërmjet tyre. Dialogu institucional, megjithatë, kërkon më shumë se uljen e palëve në një tryezë. Ai duhet të ketë një objekt të qartë, të respektojë kompetencat e secilit dhe të mbështetet në një bazë juridike të përbashkët. Për mosmarrëveshjen rreth ligjit për pagat e magjistratëve, është Gjykata Kushtetuese që do të vendos përfundimisht. Kushtetuta nuk negociohet. As gjykimi kushtetues nuk mund të zëvendësohet nga një tryezë dialogu. Vendimi që do të merret duhet të respektohet dhe të zbatohet.
Kjo është arsyeja pse duhet të jemi të qartë edhe për objektin e tryezës së konsultimit, në të cilën Kryeministri ka ftuar të gjithë drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, të gjykatave dhe të prokurorive të Republikës. Objekti i saj është politika e pagave në sistemin e drejtësisë dhe mekanizmi për përcaktimin e tyre.
Pikërisht për këtë çështje qëndrimi ynë duhet të jetë i qartë. Për sa kohë ligji dhe pretendimet kushtetuese të ngritura ndaj tij janë në shqyrtim përpara Gjykatës Kushtetuese, themeli juridik i kësaj mosmarrëveshjeje nuk mund të negociohet në një tryezë tjetër. Nuk mund të negociohet kuptimi i Kushtetutës, fuqia detyruese e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe as të paraprihet ajo që mund të vendoset prej saj.
Kjo nuk do të thotë se duhet të mbyllim derën e dialogut. Ato që mendojmë, ato që diskutojmë ndërmjet nesh dhe ato që kemi bërë publike duhet të kemi gatishmërinë t’i themi drejtpërdrejt në çdo tryezë. Prania në tryezë nuk do të thotë heqje dorë nga qëndrimet tona dhe as pranim i premisave të palës tjetër. Dialogu nuk është nënshtrim. Ai është mënyra institucionale për të mbrojtur qëndrimin me argumente, për të dëgjuar mendimin ndryshe dhe për të kërkuar hapësirën e bashkëpunimit që Kushtetuta lejon.
Ne duhet të jemi po aq të qartë edhe për kufijtë e këtij dialogu. Ai nuk mund të nisë dhe të përfundojë te paga. Çështja e pagave është e rëndësishme, sepse prek drejtpërdrejt një nga garancitë e pavarësisë së gjyqësorit, por ajo nuk përmbledh problemet e drejtësisë shqiptare. Një dialog serioz ndërmjet pushteteve duhet të shkojë përtej mosmarrëveshjes së momentit dhe të përballet me çështjet që përcaktojnë në mënyrë reale aftësinë e sistemit për të dhënë drejtësi.
Sot vendit i duhet një “Tryezë për funksionimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë”, i duhet një proces institucional me vështrim afatgjatë, ku secili pushtet të marrë përgjegjësi për çështjet që i përkasin dhe ku bashkëpunimi të çojë në zgjidhje konkrete.
Prandaj, dialogu nuk duhet të mbetet vetëm te paga. Është koha t’u japim përgjigje çështjeve që përcaktojnë funksionimin e drejtësisë: sa gjyqtarë dhe prokurorë i duhen Shqipërisë, si do të plotësohen vendet vakante, si do të ulet stoku i çështjeve dhe kohëzgjatja e proceseve? Duhet të përcaktojmë çfarë administrate, teknologjie, infrastrukture dhe sigurie u duhen gjykatave dhe si do të financohen këto nevoja në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë duhen një rend pune konkret, përgjegjësi të qarta dhe vendime të zbatueshme.
Asnjë institucion nuk mund t’u përgjigjet i vetëm këtyre nevojave. KLGJ-ja duhet t’i njohë vështirësitë e gjykatave, t’i paraqesë qartë dhe të propozojë zgjidhje. Institucionet e tjera duhet të përmbushin përgjegjësitë që u takojnë. Bashkëpunimi mes tyre është i domosdoshëm dhe duhet të zhvillohet duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.
Pushtetet janë të ndara, por shteti është një. Edhe qytetari është i njëjti. Për të, ndarja e kompetencave dhe e përgjegjësive buxhetore ndërmjet institucioneve nuk mund të shërbejë si shpjegim për vonesën e drejtësisë. Ai pret që çështja e tij të gjykohet në kohë, me cilësi dhe me dinjitet. Për këtë duhet të shërbejë dialogu, që çdo pushtet të përmbushë detyrën e vet dhe që pushtetet, së bashku, të krijojnë kushtet që drejtësia të funksionojë.
Sa i përket zgjidhjes së tre anëtarëve të rinj, për vendin që i përket Gjykatës së Lartë, në garë janë gjyqtarët Arbena Ahmeti dhe Sandër Simoni. Ndërkohë, për përfaqësimin e Gjykatave të Apelit, kandidaturat janë Igerta Hysi dhe Fatri Islamaj. Gara për një vend që përfaqëson Gjykatat e Shkallës së Parë ka tre kandidatë: Matilda Llangozi, Brunilda Kadi dhe Manjola Xhaxho.
Lajmi në përditësim....
-
Gjithe te koruptuarit dhe tradhetaret e vendit qe duhet te ishin shkarku te gjithe pa perjashtim gjykates e prekurore me shkoll dhe pa shkolle me te demshit e vedit ton po Qeveria sic e gatoi le ta bitisi tani se duan te vjedhin sic vidhnin ne kohen e sali tradhetarit mjere populli qe nuk kopton
Përgjigju -
Ju duhet te shkoni ne banken e te akuzuarve , pagat i vendos Parlamenti ne baze te ligjit dhe jo deshirat tuaja .Jemi Qevei Parlamentare dhe JO qeveri prokuroresh dhe gjyqtaresh .
Përgjigju








Komente
Komento