Video e xhiruar në makinë bashkë me partneren e tij Eugenia ‘China’ Suarez, i ka kushtuar shumë shtrenjtë Mauro Icardit, i cili, sipas asaj që publikojnë disa media amerikanolatine, nuk do të mund të drejtojë makinën në rrugët publike të Argjentinës deri në vitin 2099. Një heqje patente për një periudhë rekord që erdhi pasi Ministria argjentinase e Transportit zbuloi se ish sulmuesi i kombëtares Albiceleste që tashmë është pa skuadër, nuk kishte në zotërim një patentë të vlefshme në vendin e tij. Në këtë mënyrë, Icardi, tashmë 33 vjeçar do të mund të kthehet të drejtojë një automjet vetëm në moshën…105 vjeçare.
Çështja u krijua nga një video e publikuar nga vetë Icardi në rrjetet sociale ku ai shfaqet në makinë së bashku me partneren e tij që ishte në vendin e pasagjerit pa vendosur rripin e sigurisë dhe me trupin të nxjerrë jashtë dritares së makinës. Video u bë menjëherë virale dhe tërhoqi vëmendjen e autoriteteve argjentinase që pasi bënë disa verifikime konstatuan se Icardi nuk kishte patentë të vlefshme për të drejtuar makinë për në Argjentinë. Dhe si pasojë, iu hoq e drejta të drejtojë automjete në rrugët publike deri në 2099, një sanksion që konsiderohet nga të gjithë një rekord.