Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Nën akuzë për 700 mijë euro të vjedhura, gjykata liron nga burgu dhe çon në shtëpi ish-drejtoreshën e Postës së Durrësit

Shkruar nga Newsbomb
Nën akuzë për 700 mijë euro të vjedhura, gjykata liron
Elisabeta Mataj

Ish-drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, nuk do të qëndrojë më në burg, pasi gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj saj duke e çuar në arrest shtëpie, ndërsa vijon hetimi për zhdukjen e rreth 69 milionë lekëve, ose mbi 700 mijë eurove.

Mataj u vu nën hetim pas dyshimeve për përvetësimin e fondeve që ishin të destinuara për shërbimet e pagesave në degët postare të Shijakut dhe Krujës. Çështja u bë publike në korrik, kur kontrollet e brendshme të Postës Shqiptare zbuluan mospërputhje në administrimin e fondeve.

Fillimisht, Gjykata e Durrësit vendosi masën “arrest në burg” për Matajn, ndërsa dy ish-vartëset e saj, Valbona Duni dhe Paola Dana, u lanë në “arrest në shtëpi”. Më pas, në gusht, Gjykata e Apelit konfirmoi masat e sigurisë të vendosura më herët.

Sipas hetimeve, shuma prej rreth 69 milionë lekësh dyshohet se është tërhequr nga arka e filialit gjatë muajve prill dhe maj, por nuk ka mbërritur në destinacionet për të cilat ishte parashikuar. Prokuroria po verifikon edhe mënyrën se si janë kryer veprimet financiare dhe rolin e secilës prej personave nën hetim.

Në dosjen hetimore janë përfshirë edhe pamje nga kamerat e sigurisë së filialit të Postës në Durrës. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimit, në disa raste thasët me vlera monetare janë dërguar në zyrën e ish-drejtoreshës, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë se çfarë ka ndodhur më pas me fondet.

Vetë Mataj ka mohuar përgjegjësinë për mungesën e parave dhe ka akuzuar ish-vartëset e saj për veprime të paligjshme. Nga ana tjetër, edhe ndaj saj janë ngritur akuza nga persona të përfshirë në çështje.

Hetimi vijon për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete dhe destinacionin e shumës së munguar. Ndërkohë, të gjithë personat nën hetim gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese