Bota

Tragjike/53-vjeçari humb jetën pasi mbi të bie një dritare 130 kg nga kati i 26-të!

Dy kompani janë gjobitur në total me 1.3 milionë paund pasi një 53-vjeçar humbi jetën kur mbi të ra një dritare me peshë rreth 130 kilogramë nga një penthouse në Londër. Ngjarja ndodhi në tetor të vitit 2018 në kompleksin luksoz “The Corniche”, në zonën Vauxhall, kur Mick Ferris po kthehej drejt autobusit që drejtonte. Sipas të dhënave të paraqitura në gjykatë, dritarja ra nga kati i 26-të, në një lartësi rreth 300 feet, afro 90 metra. Paneli i xhamit ishte rreth 85 centimetra i gjerë dhe 190 centimetra i lartë.

Gjykata e Inner London Crown Court dënoi kompaninë zhvilluese St James Group Ltd me një gjobë prej 1 milion paundësh, ndërsa kontraktori i specializuar Lindner Prater u gjobit me 300 mijë paund. Përveç gjobave, të dyja kompanitë u urdhëruan të paguajnë nga 125 mijë paund secila për kostot gjyqësore.

Gjatë procesit u tha se kompanitë kishin dështuar të menaxhonin siç duhet rreziqet e parashikueshme që lidhen me sigurinë e dritareve në ndërtesë. Një panel tjetër dritareje kishte rënë nga i njëjti kompleks edhe në gusht të vitit 2017, por sipas gjykatës, dizajni nuk ishte ndryshuar ndjeshëm pas atij incidenti.

Gjykatësi tha se një komponent sigurie, i quajtur “restrictor”, nëse do të ishte vendosur dhe lidhur siç duhet, do ta kishte parandaluar shkëputjen e dritares. E veja e viktimës, Rachel Ferris, tha në gjykatë se vdekja e bashkëshortit të saj ishte e papritur dhe mund të ishte parandaluar.

Ajo e përshkroi Mick Ferris si një baba dhe gjysh të përkushtuar, ndërsa tregoi se rreth 400 persona kishin marrë pjesë në funeralin e tij. Hetuesit e sigurisë në punë deklaruan se ngjarja ishte pasojë e dështimeve të dy kompanive, duke theksuar se incidenti i mëparshëm i vitit 2017 duhej të kishte shërbyer si paralajmërim.