
Sot u zhvillua mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve për zgjedhjen e 3 anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. I pranishëm ishte edhe kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi i cili foli edhe për zhvillimet e fundit dhe përplasjet mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor për ngërçin me rritjen e pagave të magjistratëve.
Duke qenë se gjyqtarët çuan në Gjykatën Kushtetuese ligjin e miratuar me votat e socialistëve në parlament, Sadushi pati një përgjigjie edhe për ftesën e Ramës për diskutime duke thënë se është Kushtetuesja që do të vendosë për pagat.
“Për sa kohë ligji dhe pretendimet kushtetuese të ngritura ndaj tij janë në shqyrtim përpara Gjykatës Kushtetuese, themeli juridik i kësaj mosmarrëveshjeje nuk mund të negociohet në një tryezë tjetër. Nuk mund të negociohet kuptimi i Kushtetutës, fuqia detyruese e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe as të paraprihet ajo që mund të vendoset prej saj”- tha Sadushi.
Ndërsa tha se dialogu nuk duhet fokusuar vetëm tek pagat, por edhe tek pavarësia e magjistratëve dhe strategjinë për uljen e stokut të çështjeve pa vendim.
“Prandaj, dialogu nuk duhet të mbetet vetëm te paga. Është koha t’u japim përgjigje çështjeve që përcaktojnë funksionimin e drejtësisë: sa gjyqtarë dhe prokurorë i duhen Shqipërisë, si do të plotësohen vendet vakante, si do të ulet stoku i çështjeve dhe kohëzgjatja e proceseve? Duhet të përcaktojmë çfarë administrate, teknologjie, infrastrukture dhe sigurie u duhen gjykatave dhe si do të financohen këto nevoja në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë duhen një rend pune konkret, përgjegjësi të qarta dhe vendime të zbatueshme”- shtoi kreu i gjykatës së Lartë. Versus.al

