AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Opinion

Nga aleatë të SHBA-së në të pandehur: Pse Uashingtoni e mbështeti Gjykatën Speciale për Kosovën

Uashingtoni ndërtoi një marrëdhënie të ngushtë me udhëheqjen e UÇK-së në Kosovë, duke bërë që shumë prej figurave të saj të besonin se mbështetja politike amerikane do t’i mbronte në fund nga Dhomat e Specializuara. Por në botën e realpolitikës, miqësitë ndërkombëtare rrallë janë pa kushte, pasi kur interesat strategjike ndryshojnë, partneri i domosdoshëm i së djeshmes mund të bëhet i pandehuri i sotëm.

Fron NahzingaFron Nahzi
48 seconds më parë
në Opinion
Koha e leximit: 8 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
bjhrvwc 20251019 043553 171025 5 053 3
Qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria mbajnë flamuj gjatë një tubimi në sheshin Skënderbej në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Shpallja fajtor më 16 shtator i katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dënimet e gjata me burg të dhëna ndaj tyre nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë tronditën shumë kosovarë. Jo vetëm për shkak të vendimit, por edhe sepse ish-aleati i tyre, Shtetet e Bashkuara, nuk u doli në mbrojtje.

Vendimi ngre një pyetje: pse SHBA mbështeti krijimin e një gjykate që do të ndiqte penalisht udhëheqës të cilët dikur kishin qenë ndër aleatët më të afërt të Uashingtonit në Ballkan? Pasi udhëhoqi ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë dhe mbështeti rolin e UÇK-së në Kosovën e pasluftës, çfarë ndryshoi?

Përgjigjja nuk gjendet domosdoshmërisht te një çështje apo moment të vetëm. Nuk pati një ngjarje apo person që ndryshoi papritur kursin. Përkundrazi, një sërë zhvillimesh përgjatë viteve çuan në një ndryshim të rëndësishëm të politikës amerikane dhe nxorën në pah një realitet themelor që shumë kosovarë nuk duan ta pranojnë: mbështetja e SHBA-së ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e mbështetur te interesi i saj.

Akuzat për krime të rënda të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë pretendimet për trafikim organesh, kishin qarkulluar që prej vitit 1999. Por ato mbetën në hije përballë shkallës dhe intensitetit të krimeve sistematike të kryera nga forcat serbe dhe jugosllave – nga Prekazi në Reçak e te lista e gjatë e mizorive gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s.

Krimet e luftës të atribuuara palës kosovare morën më shumë vëmendje pas përfundimit të luftës, kur dhjetëra mijëra serbë dhe romë u larguan ose u detyruan të largoheshin nga Kosova, ndërsa u vranë edhe disa shqiptarë të Kosovës. E rëndësishme është se të gjitha këto ndodhën nën vëzhgimin e Shteteve të Bashkuara dhe qeverive europiane, si dhe të NATO-s, OKB-së dhe OSBE-së.

Çështja u rikthye fuqishëm në vitin 2008, pas botimit të kujtimeve të ish-kryeprokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte, The Hunt: Me and the War Criminals [Gjuetia-Unë dhe Kriminelët e Luftës]. Në libër ajo paraqiste akuza për krime të rënda të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së pas luftës.

Del Ponte përshkruante vështirësitë me të cilat ishin përballur hetuesit e saj në përpjekjet për ti hetuar këto akuza, përfshirë mungesën e provave dhe vështirësitë për të siguruar dëshmitarë. Por kishte edhe një pengesë tjetër të rëndësishme: juridiksioni kohor i Tribunalit të Hagës për konfliktin në Kosovë përfundonte në qershor 1999, kur përfundoi konflikti i armatosur dhe trupat e NATO-s hynë në Kosovë.

Kjo ngrinte pyetjen se kush duhej të hetonte dhe të ndiqte penalisht krimet e pretenduara që binin jashtë juridiksionit të Tribunalit.

Në vitin 2011, raporti i senatorit zviceran Dick Marty për Këshillin e Europës nxiti thirrje për një hetim më të thelluar të pretendimeve për trafikim organesh. Trafikimi i organeve mori pjesën më të madhe të vëmendjes mediatike, por raporti trajtonte gjithashtu krime lufte dhe krim të organizuar, të lidhura me një sektor të UÇK-së të njohur si “Grupi i Drenicës”.

Raporti i Marty-t mori mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së, të cilat deklaruan se do të ndërmerrnin hapa të mëtejshëm. Një nga shqetësimet ishte se Rusia mund ta çonte çështjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, siç kishte kërcënuar se do të bënte.

Më pas, Bashkimi Europian krijoi Task-Forcën Speciale Hetimore, SITF, me bazë në Bruksel dhe të përbërë tërësisht nga personel ndërkombëtar. SHBA e mbështeti drejtpërdrejt SITF-in, veçanërisht duke ofruar kryeprokurorin e saj, ish-ambasadorin amerikan për krimet e luftës Clint Williamson, i cili kishte punuar për aktakuzën ndaj Sllobodan Millosheviçit në Tribunalin e Hagës dhe kishte drejtuar departamentin e drejtësisë të UNMIK-ut.

Në vitin 2014, Williamson bëri publike gjetjet e SITF-it, duke deklaruar se ato konfirmonin në pjesën më të madhe atë që kishte raportuar Marty dhe se ekzistonin prova të mjaftueshme për ngritjen e akuzave ndaj personave të caktuar.

Sipas tij, krimet ishin kryer ndaj serbëve, romëve dhe shqiptarëve. Ai evidentoi gjithashtu klimën e frikësimit të dëshmitarëve.

Sa u përket pretendimeve për trafikim organesh, Williamson tha se hetuesit kishin gjetur prova për një numër të kufizuar rastesh në përputhje me raportin e Marty-t, por jo të mjaftueshme për ngritjen e akuzave.

Ajo që e bënte situatën të pazakontë ishte se SITF njoftoi se ekzistonin baza të mjaftueshme për aktakuza përpara se institucioni që do t’i gjykonte këto çështje të ekzistonte. Por kjo shpejt ndryshoi, ndërsa BE-ja, me mbështetjen e SHBA-së, nisi procesin për krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Deri në vitin 2015, vrulli politik dhe burokratik ishte bërë i vështirë për t’u ndalur. Kosova u vendos nën presion të fortë për ta pranuar këtë fakt të kryer.

Komuniteti ndërkombëtar kishte arritur në përfundimin se institucionet gjyqësore të Kosovës nuk ishin vendi i përshtatshëm për të gjykuar akuzat ndaj ish-figurave të larta të UÇK-së. Kjo lidhej në një masë të madhe me frikësimin e dëshmitarëve në dy procese të mëparshme ndaj udhëheqësve të UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, të akuzuar për krime lufte përpara Tribunalit të Hagës, ku presioni ndaj dëshmitarëve kontribuoi në dështimin ose rrëzimin e çështjeve.

Ky qëndrim ishte veçanërisht domethënës duke pasur parasysh se për më shumë se dy dekada, SHBA dhe Europa kishin shpenzuar miliarda për ngritjen e institucioneve të Kosovës, përfshirë policinë, gjykatat dhe sistemin e drejtësisë.

EULEX, misioni i Bashkimit Europian për sundimin e ligjit, dërgoi në Kosovë gjyqtarë, prokurorë dhe oficerë policie ndërkombëtarë dhe, deri në vitin 2018, kishte kompetenca të drejtpërdrejta ekzekutive në sistemin e drejtësisë.

Si pjesë e mandatit të tij, EULEX mblodhi prova për krime lufte gjatë viteve të veprimtarisë në Kosovë, por numri i aktakuzave dhe ndjekjeve penale mbeti relativisht i vogël.

Si mes qytetarëve të Kosovës ashtu edhe mes një pjese të zyrtarëve ndërkombëtarë që kishin punuar me EULEX-in dhe OKB-në, ekzistonte bindja e përhapur se presioni amerikan kishte dekurajuar ose penguar avancimin e këtyre çështjeve.

Në fund të fundit, qeveritë perëndimore shpesh bashkëpunojnë me partnerë problematikë kur besojnë se këto marrëdhënie u shërbejnë objektivave më të gjera strategjike.

Shtetet e Bashkuara ndihmuan në krijimin e një rendi politik ku ish-udhëheqësit e UÇK-së u kthyen në partnerë thelbësorë për ndërtimin e shtetit të ri.

Uashingtoni bashkëpunoi me ta gjatë administratave të njëpasnjëshme amerikane – Clinton, Bush, Obama dhe Trump – dhe u mbështet vazhdimisht te udhëheqja politike e Kosovës për të çuar përpara objektivat më të gjera amerikane në Ballkan.

Nga këndvështrimi i Uashingtonit, Hashim Thaçi ishte partneri ideal. Ai kishte treguar gatishmëri për të negociuar me Beogradin dhe ishte shndërruar në një aktor politik rajonal që mbështeste integrimin e vendeve fqinje dhe të komuniteteve të tyre shqiptare në rendin politik perëndimor.

Në Maqedoni, Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 i dha fund konfliktit të armatosur mes qeverisë dhe kryengritësve shqiptarë, mes të cilëve kishte shumë ish-anëtarë të UÇK-së.

Në Mal të Zi, Thaçi mbështeti pavarësinë në referendumin e vitit 2006, ku 55.5 për qind e votuesve u shprehën pro – vetëm pak mbi pragun e përcaktuar nga Bashkimi Europian. Shqiptarët e Malit të Zi votuan në shumicë dërrmuese për pavarësinë, duke u kthyer në një komponent të rëndësishëm të koalicionit pro-pavarësi.

Në vitin 2020, Thaçi ishte gjithashtu i përfshirë ngushtë në përpjekjen e udhëhequr nga SHBA për të ndërmjetësuar një marrëveshje ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.

Kritikët argumentuan se nisma motivohej po aq nga dëshira e administratës Trump për të shënuar një sukses në politikën e jashtme përpara zgjedhjeve, sa edhe nga synimi për një normalizim të mirëfilltë të marrëdhënieve.

Në një botë të drejtuar po aq nga realpolitika sa edhe nga parimet morale, pyetja e natyrshme është: pse ndryshoi politika e SHBA-së?

Uashingtoni ua bëri të qartë udhëheqësve të Kosovës se kishin pak alternativa përveçse ta mbështesnin gjykatën, përndryshe rrezikonin të humbnin mbështetjen amerikane dhe t’i hapnin rrugë Moskës dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të merrnin drejtimin e çështjes.

SHBA angazhoi një varg të gjatë figurash amerikane dhe rajonale për ta përcjellë këtë mesazh. Nga kryeministri shqiptar Edi Rama te kongresmeni Eliot L. Engel, një mbështetës i fuqishëm i Kosovës dhe kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, figura të ndryshme ndihmuan në përcjelljen e qëndrimit të Uashingtonit.

Por pasi u ngritën aktakuzat ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, si Rama ashtu edhe Engel u kthyen në kritikë të fortë të gjykatës.

Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës ndryshoi Kushtetutën dhe miratoi një ligj të ri që mundësoi ngritjen e gjykatës speciale jashtë territorit të Kosovës, me personel ndërkombëtar, por që vepronte sipas ligjeve të Kosovës.

Siç raportohet të ketë thënë në atë kohë privatisht një zyrtar amerikan: “Gjelat votuan për darkën e Falënderimeve.”

Atëherë, pse Uashingtoni ushtroi kaq shumë presion për krijimin e gjykatës?

Ekziston përgjigjja e drejtpërdrejtë: drejtësia, llogaridhënia dhe nevoja që Kosova të tregonte se ishte e gatshme të përballej me akuzat për krime të rënda të kryera gjatë luftës.

Por pati edhe ndryshime në raportet e ndikimit politik që nuk mund të shpërfillen.

Gjykata i dha Uashingtonit dhe aleatëve të tij europianë një mënyrë për të menaxhuar një çështje politikisht shpërthyese, për t’i treguar Beogradit se akuzat ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së nuk do të injoroheshin dhe për ta mbajtur çështjen larg një forumi më të gjerë ndërkombëtar, ku Rusia dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së mund të luanin një rol vendimtar.

Për më tepër, gjykata ofroi një mënyrë për t’iu përgjigjur shqetësimeve në rritje në Europë për krimin e organizuar të lidhur me rrjete shqiptare dhe lidhjet e pretenduara të tyre me udhëheqjen politike të Kosovës, si edhe për korrupsionin në rritje në Kosovë, veçanërisht gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit.

Kishte edhe një dimension personal.

Për vite me radhë, Uashingtoni kishte kultivuar marrëdhënie jashtëzakonisht të afërta me ish-udhëheqjen e UÇK-së në Kosovë dhe veçanërisht me Hashim Thaçin.

Këto marrëdhënie mund t’i kenë shtyrë udhëheqësit kosovarë të besonin se mbështetja politike amerikane do t’i mbronte përfundimisht nga pasojat e akuzave.

Asgjë nga kjo nuk i zvogëlon krimet apo vuajtjet e viktimave.

Pyetja është nëse përpjekja për llogaridhënie pasqyroi zbatimin e qëndrueshëm të një parimi të drejtësisë, apo nëse drejtësia u ndërthur me interesat gjeopolitike të fuqive që krijuan dhe mbështetën gjykatën.

Dhe ndoshta përgjigjja është një kombinim i të dyjave.

Kosovarëve kjo iu kujtua sërish së fundmi, kur administrata Trump shprehu mbështetje për vendimin e gjykatës, pavarësisht përpjekjeve të saj më të gjera për të sulmuar Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe për të dobësuar institucionet ndërkombëtare të drejtësisë.

Parë në kontekstin e qasjes transaksionale të administratës ndaj marrëdhënieve me Serbinë dhe Rusinë, mungesa e kritikave amerikane ndaj gjykatës nuk ishte e papritur.

Çështja nuk është nëse viktimat e krimeve meritojnë drejtësi. Ato e meritojnë atë.

As vuajtjet e shqiptarëve, serbëve, romëve apo viktimave të tjera nuk duhet të peshohen kundrejt njëra-tjetrës.

Pyetja më e vështirë është nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës ishin në radhë të parë një instrument drejtësie, apo nëse drejtësia u ndërthur me interesat politike në ndryshim që përcaktuan krijimin e gjykatës – dhe çfarë na tregon kjo për politikën amerikane në rajon.

Nëse përgjigjja është e para, atëherë të njëjtat standarde të llogaridhënies duhet të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme, edhe kur kjo është e papërshtatshme për qeveritë e fuqishme dhe aleatët e tyre.

Nëse përgjigjja është e dyta, atëherë Kosova ka mësuar një leksion të vështirë mbi realpolitikën: miqësitë ndërkombëtare rrallë janë pa kushte dhe, kur interesat strategjike ndryshojnë, partneri i domosdoshëm i së djeshmes mund të bëhet i pandehuri i sotëm.

Fron Nahzi është autor i librit “Ethnic Interest Groups and U.S. Foreign Policy: The Albanian-American Movements”, botuar nga Routledge.

Etiketa: Hashim Thaçi
bjhrvwc 20251019 043553 171025 5 053 3

Nga aleatë të SHBA-së në të pandehur: Pse Uashingtoni e mbështeti Gjykatën Speciale për Kosovën

11:34 | 25/09/2026
mk gr border at lake prespa 2016 no crossing possible

Futja e Ballkanit në Shengen: një zgjidhje me përfitime për Evropën

09:59 | 25/09/2026
photo 2026 09 24 19 04 52

Zyrtarët e lartë dhe krimi i organizuar u bënë njësh në mbrojtje të Ergys Agasit

08:08 | 25/09/2026
hyseni ne gjykate

Ish-shefja e SHISH, Vlora Hyseni mbetet në ‘arrest shtëpie’

15:39 | 24/09/2026
meta ne gjyq

Avokati i Ilir Metës deklaron se rrezikon licencën nëse thyen bojkotin

14:14 | 24/09/2026
Kontejnerët me ‘mbetje të rrezikshme’ mbërrijnë të dielën në Durrës

Nga burim tani edhe në destinacion: si po ndryshon trafiku i kanabisit në Shqipëri

13:57 | 24/09/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.