Si përgjonte Sigurimi i Shtetit? Në diktaturë, mijëra shqiptarë dhe të huaj survejoheshin për qëndrimet kundër shtetit
Një bisedë private, një miqësi, një letër nga jashtë apo thjesht dyshimi se dikush mendonte ndryshe nga regjimi. Gjatë diktaturës komuniste, këto mund të mjaftonin që një qytetar të përfundonte nën vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit.
“Pas këtyre rafteve fshihen mijëra histori njerëzore. Dosje, raporte, përgjime dhe dëshmi të një sistemi që për dekada kontrolloi jetën e qytetarëve. Sot, në arkivin e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, këto dokumente nuk shërbejnë më për të survejuar, por për të kuptuar një nga periudhat më të errëta të historisë së Shqipërisë.
Por ajo që është shkruar në këto dokumente nuk mund të merret gjithmonë si një e vërtetë absolute. Informacioni mund të ishte i ndikuar nga mënyra se si raportonte bashkëpunëtori, nga interpretimi i strukturave të Sigurimit apo edhe nga shtrembërime të realitetit.“
“Nuk bëhet fjalë për dokumenta të ndërtuara në liri ose të ndërtuara në dijeninë e personit. Ne mund ta lexojmë sot, por sot ne jemi qytetarë të shekullit 21. Domethënë bëhen shumë debate a është ky informacioni i saktë, është i saktë, po a është gjithë e vërteta kjo? Jo. Dhe këtu del roli i institucionit tonë, pse është kaq i rëndësishëm? Është sepse këto dokumenta u lanë sekret deri ditën që edhe personi i sheh. Dhe, siç po del tani, kanë qenë të parregulluara me ligj dhe pa verifikim gjyqësor”, thotë Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH.
Pas dosjeve qëndronte një mekanizëm i tërë survejimi.
“Ky fond është krijuar si rezultat i një pune të strukturuar të Sigurimit të Shtetit. Në vitet ’89-’90, një pjesë e madhe e fondit të ish-Sigurimit të Shtetit, pikërisht ajo që lidhej me agjitacionin dhe propagandën, është zhdukur. Sipas një deklarate të ish-kryeministrit të asaj kohe, zotit Meksi, janë asgjësiar rreth 39.500 dosje, ku 29.000 prej tyre i takojnë fondit të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit”, thotë Altin Hoxha, anëtar i AIDSSH.
Por si përfundonte dikush nën vëzhgim?
“Për shembull merreshin nëse kanë qenë të dënuar politik ose jo, nëse kanë pasur ndonjë pjesëtar nga familja e tij të arratisur ose jo. Origjina familjare të konsideruar me biografi të keqe. Ata ishin objekt survejimi. Po ashtu nëse kishin kontakte me të huajt. Menjëherë, herë pas here bëheshin katedra dhe konfirmohej ekzistenca e tyre, të ndarë sipas zonave ku ata banonin”, thotë Gjergj Marku, anëtar i AIDSSH.
Por survejimi nuk bëhej vetëm përmes njerëzve. Në muzeun “Shtëpia me Gjethe” ruhen ende aparatura që dëshmojnë anën teknike të përgjimit.
“Këto pajisje sot qëndrojnë të heshtura në një muze. Por dikur, përmes tyre, regjistroheshin zëra dhe biseda pa dijeninë e atyre që flisnin. Ato ishin vetëm një pjesë e një sistemi shumë më të gjerë kontrolli, ku informacioni mund të vinte nga aparaturat, por edhe nga njerëzit që kishe pranë.”
Për ish-të përndjekurit, hapja e një dosjeje dekada më vonë mund të jetë edhe një përballje me të shkuarën.
“Ata njihen tani me kush kanë qenë xhelatët e tyre. Se në një dosje me formularë të tillë jepin emrat e gjithë punonjësve të Partisë apo kryetarit të degës që i ka ndjekur. Përveç zhgënjimit që shikojnë torturat që janë përdorur dhe të gjithë dhunën, represionin psikologjik, akuzat false, manipulimin e dosjes komplet, ka dhe një zhgënjim tjetër, sepse në këto dosje dalin edhe bashkëpunëtorë të afërt, në disa raste, të familjes”, thotë Akënder Vrioni, anëtar i AIDSSH.
Për familje të tjera, plagët janë ende më të thella. Fati i personave të zhdukur gjatë regjimit komunist vazhdon të mbajë të hapur kërkimin për të vërtetën dhe për vendndodhjen e eshtrave të të afërmve të tyre.
“Përveçse punës që kemi bërë midis dy palëve, kemi marrë të dhëna prej dëshmitarëve që kanë qenë burim prove, si kujtime, si letra, si dëshmi, si vende ku janë varrosur këta. Ne kemi kaluar në kaluar në pikën e dytë që janë hetimet administrative”, thotë Marku.
Më shumë se tri dekada pas rënies së regjimit, këto dosje vazhdojnë të flasin. Për brezat që nuk e kanë jetuar diktaturën, ato tregojnë deri ku mund të arrijë një sistem kur kontrolli depërton në jetën private të individit. Aparaturat e përgjimit sot janë fikur. Dosjet nuk janë më instrumente survejimi. Por dëshmitë kanë mbetur.
Dhe njohja e tyre nuk ka të bëjë vetëm me të shkuarën, por edhe me të kuptuarit e vlerës së lirisë sot.




