Fituesi i jackpot-it prej 223.2 milionë eurosh në SuperEnalotto po përballet me një proces ligjor të nisur nga ish-bashkëshortja e tij, e cila jeton në Frosinone, ndërsa ai banon dhe punon në Lecco.
Të lidhura
None found
Burri arriti të fitonte shumën rekord pasi bleu një kupon me vlerë vetëm 5 euro. Mirëpo, gëzimi i tij nuk zgjati shumë, pasi lajmi u përhap fillimisht te miqtë dhe më pas mbërriti edhe te ish-gruaja.
48-vjeçarja pretendon se ka të drejtë mbi 80 milionë euro. Përfaqësuesit e saj ligjorë theksojnë se çifti ishte martuar më 25 prill 2023, nën regjimin e bashkësisë ligjore të pasurisë.
Edhe pse ata jetojnë të ndarë, me gruan e kthyer pranë prindërve në Frosinone, procedura e ndarjes nuk ishte përfunduar zyrtarisht.
“Edhe gjysma është e imja”, është shprehur 48-vjeçarja.
Avokatët e saj i kanë dërguar fituesit një njoftim zyrtar, duke i kërkuar të njohë të drejtat që ajo pretendon mbi shumën e fituar. Në alternativë, gruaja kërkon një pagesë mujore prej 8 mijë eurosh ose 80 milionë euro menjëherë.
Sipas avokatëve, kjo shumë është më e vogël se gjysma e parave që do të mbeten pas zbritjes së taksave dhe shpenzimeve, raportoi “Corriere Della Sera”.
Baza e kërkesës lidhet me statusin juridik të çiftit në ditën kur u fitua jackpot-i. Avokatët e 48-vjeçares argumentojnë se, sipas jurisprudencës italiane, fitimet nga lotaritë dhe lojërat kombëtare mund të konsiderohen pjesë e bashkësisë ligjore të pasurisë së bashkëshortëve, edhe nëse kuponi është paguar vetëm nga njëri prej tyre.
Për këtë qëndrim ata i referohen edhe vendimeve të Gjykatës së Kasacionit italian. Sipas tyre, ndarja faktike e bashkëshortëve nuk prodhon të njëjtat pasoja ligjore si përfundimi zyrtar i procedurës së ndarjes.
Fituesi kishte 10 ditë kohë për t’iu përgjigjur kërkesës, por deri tani nuk ka reaguar, sipas avokatëve të ish-bashkëshortes.
Ndërkohë, shuma prej 223.2 milionë eurosh ende nuk është tërhequr. Rregullat parashikojnë që fituesi duhet ta kërkojë shumën brenda 180 ditësh.
Jackpot-i rekord u fitua më 11 shtator falë kombinimit 8-13-16-52-64-70. Kuponi fitues ishte blerë në një pikë shitjeje në Oggiono, në provincën e Leccos.
Një rast i ngjashëm u bë më parë objekt gjykimi
Konflikti aktual nuk është rasti i parë në të cilin një fitore e madhe në lotari sjell përplasje mes ish-bashkëshortëve.
Në vitin 2019, një shofer kamioni nga Lodi fitoi rreth 220 milionë euro pasi luajti një kupon me vlerë vetëm 2 euro. Pas këtij ndryshimi të madh në jetën e tij, ai bleu një shtëpi dhe një makinë të re.
Më pas, ai u martua sërish, ndërsa në vitin 2025 ndërroi jetë dhe pasurinë ia la partneres së re. Pas vdekjes, ish-bashkëshortja kërkoi që t’i paguheshin 5 mijë euro në muaj si mirëmbajtje.
Tashmë, vendimi për fatin e 223 milionë eurove nuk do të varet vetëm nga kombinimi i numrave fitues, por edhe nga procesi gjyqësor.
