Papa Leone XIV ka nisur këtë të premte vizitën e tij të parë zyrtare papnore në Francë, 18 vjet pas vizitës së fundit të këtij lloji, të zhvilluar nga Papa Benedikti XVI në vitin 2008.
Për të shënuar nisjen e vizitës apostolike, këmbanat e kishave do të bien për shtatë minuta në të gjithë Francën. Konferenca e Ipeshkvijve të Francës tha se ky është një gjest simbolik që u jep mundësi besimtarëve të marrin pjesë në këtë ngjarje, pavarësisht se ku ndodhen.
Gjatë katër ditëve të qëndrimit, Papa Leone XIV do të zhvillojë takime me drejtues të Bashkimit Evropian dhe me persona që kanë mbijetuar abuzimet seksuale brenda Kishës Katolike. Në program është parashikuar edhe një paradë me automjetin papal në Paris, ku priten turma të mëdha besimtarësh.
Vizita ka edhe një dimension personal për Papën, pasi gjyshja e tij nga babai, e Papës së parë me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, ka lindur në Francë.
Vizita e fundit zyrtare papnore në Francë ishte ajo e Papa Benediktit XVI në shtator të vitit 2008. Papa Françesku e vizitoi më pas Francën në Korsikë, Marsejë dhe Strasburg, por asnjë prej këtyre udhëtimeve nuk u klasifikua si vizitë zyrtare papnore.
Kostoja e vizitës së Papa Leo XIV në Francë vlerësohet në rreth 27 milionë euro, ndërsa pjesa më e madhe e shpenzimeve pritet të mbulohet nga Kisha Katolike në Francë përmes donacioneve. Autoritetet franceze nuk kanë bërë ende publike koston e operacionit të sigurisë, për të cilin është mobilizuar një aparat i gjerë për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve dhe aktiviteteve publike.


