Celebrities Gossip Showbiz

Gruaja e Michael Schumacher zbulon një detaj të panjohur nga jeta e tyre?

Corinna Schumacher ka rrëfyer disa kujtime personale nga jeta e saj me legjendën e Formula 1, Michael Schumacher, në dokumentarin e ri të Netflix, “Schumacher ’94: Birth of a Legend”.

Dokumentari i rikthehet vitit 1994, kur piloti gjerman fitoi për herë të parë titullin e kampionit të botës në Formula 1, ndërsa përmes rrëfimeve të njerëzve të afërt sjell edhe momente nga jeta e tij jashtë pistës.

Corinna ka treguar se Michael merrte një numër të madh letrash nga fansat, por një prej admirueseve të tij ishte veçanërisht e pazakontë.

Merrte jashtëzakonisht shumë letra. Një vajzë i shkruante dhe bashkë me letrat i dërgonte gjithmonë edhe të brendshme. Quhej Jutta. Në një moment, ‘Hajde, Jutta’ u bë shprehja e tij e zakonshme

-ka rrëfyer Corinna.

Një tjetër kujtim që ajo ka ndarë lidhet me një këngë që kishte një rëndësi të veçantë për çiftin. Bëhet fjalë për “Rush Rush” të Paula Abdul, e cila duket se ka mbetur e lidhur fort me kujtimet e tyre.

Kjo ishte kënga jonë. Kur e dëgjoj sot në makinë, qaj vetëm me vete

-ka treguar ajo.

Pavarësisht se dokumentari fokusohet te periudha e hershme e karrierës së Schumacherit, Corinna ka folur edhe me shumë emocion për marrëdhënien e tyre.

Zemra ime rreh për të kur fiton. Edhe kur humb. Zemra ime është gjithmonë me të. Është e mrekullueshme të jesh me dikë që mezi pret ta shohësh çdo ditë

-ka thënë ajo.

Michael Schumacher fitoi titullin e tij të parë botëror në vitin 1994 me Benetton. Ai e mbrojti titullin edhe një vit më vonë, përpara se të transferohej te Ferrari në vitin 1996.

Me skuadrën italiane nisi periudha më e suksesshme e karrierës së tij. Schumacher fitoi pesë tituj radhazi me Ferrarin, nga viti 2000 deri në vitin 2004, duke e çuar në shtatë numrin e përgjithshëm të titujve të tij botërorë.

Ai u tërhoq nga Formula 1 në fund të vitit 2006, por u rikthye në vitin 2010 me Mercedesin. Pas tri sezonesh, Schumacher u largua përfundimisht nga sporti në fund të vitit 2012.

Një vit më vonë, në dhjetor 2013, ai pësoi një aksident të rëndë gjatë skijimit në Alpet franceze.

Që prej atëherë, familja Schumacher ka ruajtur me shumë kujdes privatësinë e tij dhe ka dhënë shumë pak informacion publik për gjendjen e tij.

Dokumentari i ri nuk sjell detaje të reja mbi shëndetin e ish-pilotit, por përmes rrëfimeve të Corinnas ofron një vështrim më personal mbi njeriun pas ikonës së Formula 1.