Përplasja mes marrëveshjeve private me autorët e huaj dhe afateve që përcakton ligji shqiptar nxiti debate në Komisionin e Mediave gjatë diskutimit për të drejtën e autorit.
Kushti që parashikohet në projektligj, se në mungesë të një afati në kontratë, e drejta e përkthimit konsiderohet për 5 vjet, ka krijuar paqartësi te shtëpitë botuese që lidhin kontrata edhe me afat më të gjatë.
“Nëse unë e marr një autor të huaj për shtatë vjet, si ka mundësi që ligji shqiptar më thotë që të drejtën e autorit me përkthyesin do ta bësh pesë vjet? Kjo duhet t’i lihet negocimit mes palëve.”, tha botuesja Arlinda Dudaj.
Borana Ajazi nga Drejtoria e të Drejtës së Autorit sqaroi në Komisionin parlamentar të Kulturës se bëhet fjalë për një afat që zbatohet vetëm kur palët nuk e kanë përcaktuar atë në kontratë.
“Neni aktual ka të bëjë vetëm në rastin se mungon një afat. Ju keni në dorë të vendosni se sa do të jetë afati. Në qoftë se mungon, ligji ndërhyn për të dhënë këtë rregullim.”, tha drejtuesja e Drejtorisë së të Drejtës së Autorit, Borana Ajazi.
Por problematika nuk ndalet te kontratat. Botuesit ngritën shqetësimin për kopjimin e librave të plotë, përfshirë raste me logo dhe identitetin e botuesit, ndërsa një tjetër problem është përdorimi i përkthimeve, veçanërisht të veprave në domenin publik.
“Ka shumë raste ku na kopjojnë librat, me logo, me gjithçka. Pastaj ka shumë edhe kjo pjesa për shkak të përkthimit, që merret përkthimi, vidhet përkthimi, sidomos tek veprat që janë ‘public domain’.”, vërejti botuesja Dudaj.
Përkthyesit kërkuan ndërhyrje jo vetëm për mbrojtjen e punës së tyre, por edhe për shpërblimin. Sipas Shoqatës së Përkthyesve, modelet evropiane parashikojnë financim të botuesve, të shoqëruar me mbështetje të përcaktuar për përkthyesit.
“Çështja e përkthyesit është më shumë tek shpërblimi. Bota e ka zgjidhur ndryshe, që i financon shtëpitë botuese dhe e përcakton fiks se sa i jepet përkthyesit.”, kryetar i Shoqatës së Përkthyesve dhe botues.
Në dëgjesë u diskutua edhe regjistrimi i veprave dhe kontratave. Ministria sqaroi se regjistrimi i të drejtës së autorit është vullnetar, ndërsa kontratat e botimit regjistrohen për të verifikuar elementë si afati, territori dhe ekskluziviteti. Komisioni do të vijojë marrjen e sugjerimeve nga grupet e interesit përpara konsolidimit të draftit përfundimtar.









Komente
Komento