
Rimbursimet e TVSH-së për bizneset kanë shënuar një rënie të fortë gjatë tetë muajve të vitit 2026, duke zbritur me gati një të tretën në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga janari deri në gusht 2026 janë rimbursuar gjithsej 9.6 miliardë lekë me rënie vjetore 32.7%.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave konfirmojnë se në të njëjtën kohë, të ardhurat neto nga TVSH-ja në vend arritën vlerën e 56.8 miliardë lekëve në 8 mujor ose 24.2% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Siç shihet një pjesë e rritjes së të ardhurave neto lidhet edhe matematikisht me nivelin më të ulët të rimbursimeve.
Vetëm diferenca prej 4.7 miliardë lekësh në rimbursime përfaqëson rreth 42% të shtesës prej 11.1 miliardë lekësh të të ardhurave neto nga TVSH-ja krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat nga TVSH-ja bruto (totale) janë rritur me vetëm 6.6 për qind me bazë vjetore në 8-mujor.
Të dhëna të detajuara tregojnë se rënia e rimbursimeve është shpërndarë në pothuajse në të gjithë muajt. Përjashtim bën prilli, kur bizneset morën 2.76 miliardë lekë, ose 938 milionë lekë më shumë se në prill 2025.
Diferenca më e fortë u regjistrua në qershor. Në këtë muaj u rimbursuan rreth 2 miliardë lekë, nga 4.28 miliardë lekë një vit më parë, 52.5 % lekë më pak.
Një nga faktorët është edhe efekti i bazës së lartë të vitit të kaluar, kur në disa muaj u kryen pagesa të mëdha rimbursimesh, pasi edhe në korrik 2025 rimbursimet ishin 1.84 miliardë lekë, kundrejt vetëm 843 milionë lekëve në korrik të këtij viti, raporton Monitor.al.
Një tjetër faktor lidhet me volumin dhe kohën e paraqitjes së kërkesave nga bizneset. Rimbursimi nuk kryhet automatikisht mbi bazën e xhiros së ekonomisë, por lidhet me krijimin e tepricës kreditore të TVSH-së dhe me kërkesat që bizneset paraqesin për kthimin e saj.
Sipas administratës tatimore, bizneset jo-eksportuese mund të kërkojnë rimbursim kur kanë një tepricë të TVSH-së së zbritshme mbi 400 mijë lekë të mbartur për tre periudha radhazi. Për eksportuesit zbatohen procedura të veçanta, me afate rimbursimi që mund të jenë 30 ditë, ndërsa për kategori të tjera afati arrin deri në 60 ditë.
Për rrjedhojë, rimbursimet mujore mund të luhaten edhe nga koha kur bizneset krijojnë kredinë e TVSH-së, paraqesin kërkesën dhe përfundojnë procedurat e verifikimit. Kërkesat i nënshtrohen analizës së riskut dhe, në raste të caktuara, edhe kontrollit tatimor përpara miratimit.
Por gjithashtu sektorët kryesorë të eksportit janë duke u ndeshur me vështirësi. Fabrikat fason të cilët janë përfituesit kryesor kanë ulur ritmet e investimeve dhe të eksporteve.
