Shkup – Lufta ndaj korrupsionit, forcimi i sundimit të ligjit dhe avancimi i reformave konsiderohen kushte themelore për rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Këto qëndrime u përcollën gjatë sesionit të 25-të të Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE–Maqedoni e Veriut, që po mbahet në Shkup.
Të lidhura
None found
Eurodeputetët nënvizuan se besimi i qytetarëve te institucionet dhe trajtimi i barabartë para drejtësisë janë vendimtarë për të frenuar largimin e të rinjve dhe për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Ndërkohë, përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut përsëritën se anëtarësimi në BE mbetet objektiv strategjik dhe kërkuan që procesi i integrimit të jetë i parashikueshëm, i besueshëm dhe i mbështetur te meritat.
Eurodeputeti dhe raportuesi i përhershëm i Parlamentit Evropian për vendin, Thomas Waitz, deklaroi se korrupsioni është problem me të cilin përballen të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe se asnjë prej tyre nuk është e përsosur.
“Të gjitha shtetet anëtare të BE-së po luftojnë korrupsionin dhe asnjëra prej tyre nuk është perfekte. Synimi është forcimi i sundimit të ligjit, ndërsa niveli i korrupsionit ndryshon nga një vend në tjetrin. Edhe Austria ka pasur raste të mëdha korrupsioni, por dallimi është se edhe shumë persona të pasur përfundojnë para drejtësisë”, tha Waitz.
Sa i përket Agjendës së Reformave, ai kërkoi përmbylljen e ndryshimeve në Kodin Penal, duke theksuar se kjo është e nevojshme që Bashkimi Evropian të mundësojë fondet e lidhura me reformat.
“Plani i Rritjes përmban parimin se, nëse një shtet nuk i përmbush reformat brenda afateve, fondet mund t’u kalojnë vendeve fqinje. Sipas informacionit që kam, Maqedonia e Veriut ka një mundësi reale për të përfituar fonde shtesë, ndoshta nga 70 deri në 80 milionë euro. Megjithatë, çështja nuk lidhet vetëm me paratë. Qytetarët kanë nevojë për një Kod Penal që të garantojë një sistem drejtësie efikas dhe të rikthejë besimin te institucionet”, theksoi Waitz.
Waitz shtoi se drejtësia funksionon kur ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe kur personat me pushtet nuk gëzojnë pandëshkueshmëri. Ai vlerësoi gjithashtu se sigurimi i pagave të përshtatshme për gjyqtarët dhe oficerët e policisë është një masë që ndihmon në parandalimin e korrupsionit.
