Qeveria italiane ka vendosur të ndalojë në institucionet arsimore përdorimin e veshjeve që mbulojnë tërësisht fytyrën, mes tyre burka dhe nikabi.
Të lidhura
None found
Kryeministrja Giorgia Meloni e ka përkrahur këtë nismë, duke deklaruar se askush nuk duhet të detyrohet ta fshehë fytyrën. Masa është pjesë e një pakete të hartuar nga ekzekutivi për të forcuar integrimin në sistemin arsimor.
Paketa parashikon gjithashtu kufizimin e numrit të nxënësve të huaj në klasa dhe vendosjen e gjobave për prindërit në raste të caktuara kur fëmijët nuk mësojnë gjuhën italiane. Sipas Melonit, mbulimi i plotë i fytyrës bie ndesh me lirinë individuale dhe me parimin e hapjes kulturore në shkolla.
Ndalimi nuk përfshin shaminë e kokës, ndërsa për hyrjen në fuqi të tij nevojitet miratimi i Parlamentit italian.
Meloni e prezantoi nismën gjatë një aktiviteti për të rinjtë, të organizuar nga partia e saj, Fratelli D’Italia. Njoftimi vjen në një periudhë kur integrimi i emigrantëve dhe politikat e migracionit mbeten në qendër të diskutimeve politike në Itali.
Sekretarja e Partisë Demokratike në opozitë, Elly Schlein, e cilësoi masën si një “gjueti shtrigash” dhe e kundërshtoi ashpër dekretin. Ajo tha se qeveria po i drejton masat ndaj fëmijëve të huaj, ndërsa lë pas dore probleme të tjera të shkollave italiane, përfshirë gjendjen e ndërtesave, çmimin e librave dhe pagat e mësuesve.
