Nga Fatjon Gjinaj - Syri
Zbardhen detaje nga seanca me dyer të mbyllura për masat e sigurisë Fatjon Kalluçi, shef i laboratorit të Policisë Shkencore, dhe Embro Sulejmanit, kryekamarierit e një lokali pranë vilave qeveritare në Durrës që frekuentohej rregullisht nga i shumëkërkuari i drejtësisë Ergys Agasi. Sulejmani ka pranuar se ka njohje me Agasin, por mohon të ketë kryer vepër penale
“Ergys Agasin e njoh prej shumë vitesh, ka qenë klient i rregullt i lokalit ku punoj si kryekamarier. Jemi nga e njëjta zonë dhe kjo njohje ka qenë vite më parë se u shpall në kërkim. Kam patur kontakte që lidhen me punën. Vinte rezervonte tavolinën dhe kërkonte që ti shërbeja unë, siç ndodh kudo, nuk mendoj se kam kryer ndonjë krim”.
Mbrojtja e Sulejmanit ka ngritur pretendimin se masa shtrënguese e arrestit në shtëpi është e papërshtatshme. Mes argumentave, ajo ka theksuar se një kamarier mund tu shërbejë shumë personave që kanë probleme me drejtësinë, por kjo nuk përbën shkak për akuzë të përkrahjes së autorit të krimit. Një tjetër argument që e deklaroi mbrojtja, ishte fakti se “është e pa arsyeshme, që drejtoresha e SHISH, që akuzohet për dy vepra penale, njëra prej tyre e njëjtë me Sulejmanin, qëndron në masë më të butë, ndërsa kamarieri i një lokali që ka shërbyer supë dhe ushqim, në burg”.
Por nga ana tjetër SPAK pretendon se ka prova të ndryshme të cilat ngrenë dyshimin e arsyeshëm që Sulejmani, duke qenë në dijeni të faktit se Ergys Agasi ka qenë në kërkim, është gjendur vazhdimisht aktiv në veprime që përkrahin autorin e një krimi që ti fshihet drejtësisë. Gjithashtu mbetet e paqartë deri më tani, se kush ishin personat që shoqëronin Agasin në “strehën e arratisë”, apo nëse ka patur zyrtarë të lartë të politikës dhe policisë me të cilët është takuar sikurse janë ngritur denoncime publike që kanë shkuar deri edhe tek emri i kryeministrit.
Ndërkohë shefi i Policisë Shkencore Fatjon Kalluçi nuk ka dhënë shpjegime por i ka dhënë tagra avokatit që kërkoi masë më të butë sigurie. Kalluçi akuzohet për nxjerrje të sekretit hetimor, pasi i dërgoi Ergys Agasit që ndodhej në arrati 3 foto të akt ekspertizës së automjetit që iu sekuestrua gjatë hetimeve për dosjen e ALSHI-t. Dyshja e mësipërme u lanë në arrest në burg, ndërsa Vlora Hyseni në masën arrest shtëpie, teksa asaj i ra masa e pezullimit pasi u shkarkuar nga detyra me dekret të presidentit. Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë të enjten për kryeagjenten, prokurorët i kanë përmendur sulmin që ajo bëri ndaj gazetarëve në hyrje të gjykatës, ku i kujtuan se deklarata të tilla përbëjnë ngjashëm veprime të cilat është e dyshuar zyrtarisht.
© SYRI.net