“Ata janë më të fortë në lagje”, sherri mes të miturve nisi në Tik Tok, si ra në gjurmët e tyre policia

Detaje të reja janë mësuar nga sherri që do të përfshinte 23 të mitur.
Fillimisht sherri ka nisur mes dy të miturve pas një debati në rrjetin social TikTok. Sipas bisedave të miturit ishin ndarë në grupe teksa përmendnin edhe fjalët “ata janë më të fortë se ne në lagje” apo nuk “do i lëmë të na bëjnë të fortin”.
Sipas burimeve, të miturit kishin lënë të takoheshin në lagjen e tyre për tu sqaruar, ndërsa pas informacioneve që efektivë të komisariatit nr 6 morën në rrugë operative nisën punën për identifikimin e tyre.
Nga hetimet rezultoi se një pjesë e tyre ishin me shkopa bejsbolli me vete.
Njoftimi i policisë:
Efektivët kanë konstatuar disa të mitur të pajisur me shkopinj bejsbolli, për t’i përdorur gjatë konfliktit. Ata janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit dhe, në vijim, janë identifikuar dhe shoqëruar edhe të miturit e tjerë që do të përfshiheshin në këtë konflikt.
Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në prani të prindërve dhe psikologut, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 23 të mitur. Gjithashtu, janë sekuestruar sendet e forta.
Policia e Tiranës mbetet maksimalisht e angazhuar për të parandaluar konflikte ndërmjet të miturve dhe të rinjve, të cilat, ndonëse nisin për motive të dobëta, mund të përshkallëzojnë në ngjarje të rënda kriminale. Për të përmbushur këtë objektiv prioritar, kërkojmë bashkëpunimin intensiv të prindërve, të afërmve, miqve dhe mësuesve të të miturve, të cilët konstatojnë në përditshmëri dhe në hapësirën dixhitale indicie për ngjarje të tilla ndërmjet bashkëmoshatarëve.




