Një zjarr i fuqishëm përfshiu të premten tragetin Ro-Ro BLUE CARRIER 2, teksa anija lundronte në veri të Mykonosit dhe në lindje të Androsit, në Greqi.
Të lidhura
None found
Në bordin e tragetit ndodheshin gjithsej 29 persona: 28 pjesëtarë të ekuipazhit dhe një drejtues kamioni. Të gjithë u evakuuan në mënyrë të organizuar dhe u dërguan në Tinos me anijet e Rojës Bregdetare. Kompania konfirmoi se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe se nuk ka pasur të lënduar.
Flakët u konstatuan rreth orës 08:57, kur anija po udhëtonte nga Pireu drejt Vathit të Samosit, sipas itinerarit të përcaktuar. Të dhënat fillestare tregojnë se zjarri nisi në një kamion të parkuar në garazhin numër 4 dhe u përhap me shpejtësi, duke detyruar ekuipazhin të kërkonte ndihmë.
Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë anëtarët e ekuipazhit duke u përpjekur të frenojnë përhapjen e flakëve. Në regjistrimet radio dëgjohen edhe udhëzimet për evakuimin, përfshirë thirrjen: “Shpejt, përgatitni anijet”.
Situata u shoqërua edhe me shpërthime që u dëgjuan nga garazhet e tragetit. Në operacion u përfshinë anije zjarrfikëse dhe mjete të tjera të nisura nga Syrosi, Mykonosi, Lavrio dhe Pireu, së bashku me anije që ndodheshin pranë zonës.
BLUE CARRIER 2 ishte nisur nga Pireu dhe rreth orës 06:30 të mëngjesit kishte kaluar pranë Syrosit. Pas kësaj, ajo vazhdoi lundrimin në drejtim të Vathit të Samosit. Itinerari i planifikuar përfshinte linjën Pireu-Syros-Vathi-Kos-Rodos-Kos-Pireu.
Attica Group, kompania pronare e anijes, deklaroi se menjëherë pas rënies së zjarrit u vunë në zbatim procedurat e sigurisë dhe u realizua evakuimi i kontrolluar i të gjithë personave në bord.
Trageti kishte në bord 166 kamionë dhe 29 automjete. Shkaku i saktë i zjarrit nuk është përcaktuar ende dhe mbetet objekt hetimi. Në zonë, kushtet atmosferike raportohet se ishin relativisht të favorshme, me erëra deri në 4 Beaufort.
Kompania njoftoi se ka kontraktuar kompani të specializuara për marrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e mjedisit dhe administrimin e situatës së anijes, në koordinim me autoritetet kompetente.
BLUE CARRIER 2 është një anije mallrash e tipit Ro-Ro, me flamur grek. Ajo është ndërtuar në vitin 1997, ka gjatësi rreth 162.5 metra dhe tonazh bruto prej 23,986.
