Jepet njoftimi, kërkohen rreth 300 punonjës shtesë për zgjedhjet vendore

Aktualitet

zgjedhjeeee.jpg
Prej gati një muaji Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pret nga Kuvendi miratimin e organikës shtesë, për përgatitjen dhe menaxhimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore të vitit 2027.

Në kërkesën dhe relacionin shoqërues, dërguar deputetëve, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, shpjegon se institucionit të drejtuar prej tij i nevojiten rreth 300 punonjës shtesë, me kohë jo të plotë.

“Përgatitja e zgjedhjeve vendore të vitit 2027 shoqërohet me një ngarkesë të shtuar pune në disa prej fushave kryesore të veprimtarisë së KQZ-së.

Në veçanti, kërkohet mbështetje e shtuar për administrimin dhe përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, kontrollin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive politike dhe subjekteve zgjedhore, monitorimin e përdorimit të burimeve dhe aseteve publike gjatë periudhës zgjedhore, monitorimin e fushatës, si dhe zhvillimin e veprimtarive të edukimit dhe informimit zgjedhor”, lexohet në kërkesë. 

Nga këta, një pjesë e vogël do të nisin punë gjatë këtij viti, ndërsa shumica dërrmuese do të punësohet pak para zgjedhjeve, me kontrata të përkohshme 1, 2 dhe 3 mujore, shkruan A2. 

“Kjo mënyrë organizimi mundëson përshtatjen e burimeve njerëzore me ngarkesën konkrete të punës dhe me kërkesat e ndryshme që paraqiten gjatë fazave të përgatitjes dhe administrimit të zgjedhjeve.

Për rrjedhojë, sigurimi i këtij kapaciteti shtesë njerëzor vlerësohet si një masë e nevojshme për të garantuar që strukturat e administratës së KQZ-së, të përballojnë në mënyrë efektive detyrat që burojnë nga përgatitja dhe administrimi i zgjedhjeve vendore të vitit 2027”, lexohet më tej në kërkesën e KQZ. 

Shkresa e Celibashit është dërguar nga Kuvendi për trajtim në Komisionin e Ligjeve, që ndërkohë sapo ka nisur të diskutojë ndarjen e re administrative territoriale, që do të zbatohet për zgjedhjet e ardhshme vendore. 

ME TE LEXUARAT