Në një intervistë në News24, Belind Këlliçi deklaroi se Agasi nuk do të kishte ndikimin që, sipas tij, ka sot pa mbështetjen e kryeministrit Edi Rama.
Këlliçi e lidhi emrin e Agasit me AKSHI-n, Policinë e Shtetit dhe Kadastrën, duke pretenduar se përmes këtyre institucioneve është krijuar një mekanizëm që prek edhe sigurinë kibernetike dhe pronat.
Sipas Këlliçit është Edi Rama ai që i ka dhënë këtë imunitet të jashtëzakonshëm Ergys Agasit me këtë të fundit që shërbente si pikë ndërlidhëse.
“Mos harroni që emri i Ergys Agasit, në gjykimin tim, edhe në këtë rast është prapë i parëndësishëm, sepse Ergys Agasi nuk ka një funksion. Ergys Agasi është një shtetas privat, i cili po… i gjithë funksioni, ja ju them unë, është një biznesmen. Por Ergys Agasi, pa mbështetjen e Edi Ramës, është askushi.
Është Edi Rama ai që i ka dhënë këtë mbulesë dhe këtë imunitet të jashtëzakonshëm Ergys Agasit dhe ka bërë të mundur që Ergys Agasi të ketë nën kontroll AKSHI-n, Mirlinda Karçanajn, të bëjë çfarë të dojë me tenderat e AKSHI-t.
Mos harroni, flasim për institucionin që garanton sigurinë e të dhënave kibernetike të vendit tonë. Mos harroni sulmet që janë pretenduar se janë bërë nga Irani, mos harroni vjedhjen e të dhënave, nxjerrjen e të dhënave, nxjerrjen e pagave, nxjerrjen e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë dhe vjedhjen e tregtimin e tyre në treg të zi.
Ky individ ka në kontroll absolut Shërbimin Informativ Shtetëror. Ky individ ka në kontroll absolut Policinë e Shtetit. Ilir Proda. Ne e kemi denoncuar. Unë këtu, në studion tuaj, u bënë dy vite që denoncojmë që Ilir Proda është ushtar i krimit të organizuar, ushtar i grupeve kriminale dhe raportonte te grupet kriminale.
Me kohë na e faktoi dhe kam përshtypjen që në ditët në vijim do të shihni edhe skandalin e radhës te Kadastra, që është sërish nën varësinë e këtij individi dhe që mbyll ciklin e plotë në raport me vjedhjen e pronave, fshirjen dhe zhdukjen e titujve të pronësisë, dhënien e titujve të pronësisë së personave të tretë, nxjerrjen e lejeve të ndërtimit për të vijuar për të pastruar paratë e krimit të organizuar.
Pika ndërlidhëse në të gjitha këto raste është Ergys Agasi, i cili në fakt thjesht ka emrin Ergys Agasi, pasi është Edi Rama. Nga informacionet që ne kemi, gjithçka është bërë me direktivën, dirigjimin dhe miratimin e Edi Ramës.”, tha ai.













