Policia e Tiranës informoi sot se ka parandaluar një sherr masiv mes të miturve, 13 - 17 vjeç në zonën e Yzberisht.
23 të mitur janë proceduar penalisht ndërsa janë sekuestruar 2 shkopinj bejsbolli.
Një informacion i mbërritur në polici njoftoi se dhjetëra të mitur do të konfliktoheshin në rrugën “Besim Alla” .
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë shkuar në zonën e sinjalizuar, për të parandaluar ngjarjen.
Efektivët kanë konstatuar disa të mitur të pajisur me shkopinj bejsbolli, për t’i përdorur gjatë konfliktit. Ata janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit dhe, në vijim, janë identifikuar dhe shoqëruar edhe të miturit e tjerë që do të përfshiheshin në këtë konflikt.
Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në prani të prindërve dhe psikologut, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 23 të mitur. Gjithashtu, janë sekuestruar sendet e forta.
Policia e Tiranës mbetet maksimalisht e angazhuar për të parandaluar konflikte ndërmjet të miturve dhe të rinjve, të cilat, ndonëse nisin për motive të dobëta, mund të përshkallëzojnë në ngjarje të rënda kriminale. Për të përmbushur këtë objektiv prioritar, kërkojmë bashkëpunimin intensiv të prindërve, të afërmve, miqve dhe mësuesve të të miturve, të cilët konstatojnë në përditshmëri dhe në hapësirën dixhitale indicie për ngjarje të tilla ndërmjet bashkëmoshatarëve' informoi sot policia.
© SYRI.net