Qeveria amerikane po kërkon t’i bashkohet sfidës ligjore të Elon Musk për të rrëzuar gjobën prej 120 milionë eurosh (105 milionë paundësh) të vendosur nga BE-ja ndaj X për çështjen e shenjave blu të verifikimit.
Në dhjetor 2025, Komisioni Evropian tha se platforma “i mashtron përdoruesit” duke u lejuar njerëzve të paguajnë për një shenjë blu verifikimi, pasi ajo nuk po “verifikon në mënyrë kuptimplotë” se kush qëndron pas llogarisë.
Por ndihmësprokurori i përgjithshëm i SHBA-së, Brett A. Shumate, tha të enjten se Komisioni kishte “tentuar në mënyrë të papërshtatshme” të zgjeronte juridiksionin e tij ndaj kompanive amerikane që janë jashtë kontrollit të tij.
Musk, i cili shpenzoi miliona dollarë për të ndihmuar në zgjedhjen e Donald Trumpit dhe republikanëve të tjerë, ka pretenduar më parë se rregullat e BE-së për teknologjinë “pengojnë përparimin” e kompanive.
Departamenti amerikan i Drejtësisë (DOJ) ka paraqitur një kërkesë në Gjykatën e Përgjithshme të BE-së, në mbështetje të përpjekjeve të Musk dhe X për rrëzimin e çështjes.
DOJ argumenton se, sipas një dispozite të Statutit të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, një shtet mund të ndërhyjë në mosmarrëveshjet para gjykatës nëse “mund të vërtetojë se ka interes në rezultatin e çështjes”.
Departamenti i Drejtësisë tha se SHBA-ja “ka një interes të qartë” për të garantuar që çdo vendim i Komisionit të zbatohet në përputhje me “mënyrën se si juridiksioni territorial kuptohet përgjithësisht në të drejtën ndërkombëtare”.
Ai kërkon gjithashtu të sigurohet që një vendim i tillë të mos “dëmtojë në ndonjë mënyrë tjetër” shërbimet dixhitale me seli në SHBA, të cilat “kontribuojnë ndjeshëm” në ekonominë amerikane.
Komisioni Evropian është kontaktuar për të dhënë një koment.
Përveç përdorimit të shenjave blu të verifikimit, rregullatorët e BE-së e akuzuan X për mungesë transparence në lidhje me reklamat dhe për mohimin e aksesit të studiuesve në të dhëna publike.
Henna Virkkunen, nënkryetarja ekzekutive e Komisionit përgjegjëse për sovranitetin teknologjik, tha në kohën kur u vendos gjoba se Komisioni po “e mbante X përgjegjës për cenimin e të drejtave të përdoruesve dhe shmangien e përgjegjësisë”.
“Mashtrimi i përdoruesve me shenjat blu të verifikimit, fshehja e informacionit mbi reklamat dhe përjashtimi i studiuesve nuk kanë vend në hapësirën online të BE-së”, tha ajo.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) kishin kritikuar rregullatorin e BE-së, duke e akuzuar atë se po sulmonte dhe censuronte kompanitë amerikane.
“Gjoba e Komisionit Evropian nuk është thjesht një sulm ndaj X; është një sulm ndaj të gjitha platformave amerikane të teknologjisë dhe popullit amerikan nga qeveritë e huaja”, shkroi Rubio në një postim në X.
“Ditët e censurimit të amerikanëve online kanë përfunduar.”
Komentet e tij u ripostuan nga Musk, i cili shtoi: “Absolutisht.”
omisioni Evropian mohoi se po shënjestronte ndonjë kombësi të veçantë, duke deklaruar se thjesht po mbron standardet e veta digjitale dhe demokratike, me synimin për të ruajtur rolin e tij si një pikë referimi globale.
Ky veprim shënoi vendimin e parë zyrtar të Komisionit për mospërputhje me rregullat, në kuadër të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA), një prej dy paketave të detyrueshme të rregullave që rregullojnë platformat online në BE.
Megjithatë, BE-ja po zhvillon edhe disa hetime të tjera ndaj platformës, përfshirë një hetim ndaj asistentit të saj të integruar me inteligjencë artificiale, Grok, për shqetësimet se ai është përdorur për të krijuar imazhe të seksualizuara të personave realë. /BBC/
© SYRI.net