Arbërie Nagavci, shefe e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ka deklaruar se Kosova ka në dispozicion edhe 11 ditë për ta zgjedhur presidentin, në të kundërtën vendi do të përballet me zgjedhje të reja.
Të lidhura
None found
Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Nagavci tha se kryeministri Albin Kurti do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i lejon mandati i tij për të mundësuar zgjedhjen e presidentit dhe për të parandaluar shpërndarjen e vendit drejt zgjedhjeve të reja.
Sipas saj, çështjet me rëndësi për shtetin duhet të trajtohen përmes një strategjie të përbashkët dhe jo përmes protagonizmit politik.
“Besoj se shumë shpejt kryeministri Kurti do t’i bëjë të qarta takimet e radhës dhe mënyrën se si duhet të adresohen këto çështje. Ju e dini se ai ka marrë pjesë në një diskutim zyrtar, ku ka paraqitur qëndrimet e tij dhe të shtetit të Kosovës në takime të rëndësishme. Besoj se edhe gjatë kësaj periudhe të mbetur, ashtu siç ka vepruar deri tani, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, kryeministri Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, do të bëjë gjithçka që është në mandatin e tij për të siguruar funksionalizimin e institucioneve, zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja”, tha ajo.
Nagavci nënvizoi se afati i mbetur është i shkurtër dhe kërkoi që çështjet shtetërore të rëndësishme të trajtohen me një qëndrim të përbashkët.
“Nga sot kemi vetëm 11 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin e vendit; në të kundërtën, do të shkojmë në zgjedhje të reja. Në këtë situatë është shumë e rëndësishme që çështjet me rëndësi për shtetin t’i trajtojmë përmes një strategjie të mirëfilltë shtetërore dhe pa protagonizma”, u shpreh Nagavci.
Duke folur për projektligjin e iniciuar nga PDK-ja pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale, ajo tha se për këtë nismë nuk janë konsultuar as deputetët e Vetëvendosjes dhe as grupet e tjera parlamentare.
“Natyrisht, ne do të japim kontributin tonë, por duhet theksuar se, me sa jam në dijeni, askush nga Lëvizja Vetëvendosje, qoftë deputetët apo kolegët dhe bashkëpunëtorët tanë, nuk është konsultuar për këtë nismë të PDK-së. Kjo duhet të jetë një nismë që na bashkon të gjithëve. Siç e përmenda, nuk janë konsultuar vetëm përfaqësuesit e Lëvizjes, por, sa kuptova, as partitë e tjera parlamentare. Nga sa kam dëgjuar, përfaqësuesi i PDK-së ka thënë se kontribut kanë dhënë një grup ekspertësh, disa ekspertë, por nuk e di se kush janë ata. Megjithatë, e rëndësishme është se, me sa jam në dijeni, as ekipet mbrojtëse të katër krerëve të UÇK-së nuk janë konsultuar për këtë projektligj”, tha ajo.
