EMRAT/ Përplasen dy automjete në hyrje të Sarandës, një person dërgohet në spital
Top Channel ka siguruar ekskluzivisht pamjet e autorëve të dyshuar për vrasjen e 44-vjeçarit Artan Myrtaj, ekzekutuar pak ditë më parë në Sarandë.
Në këtë pamje shfaqet njëri prej autorëve, i cili mban në duar dy armë zjarri. Ai është i veshur me një xhup ngjyrë jeshile, pantallona të zeza dhe mban në kokë skafandër, për të fshehur identitetin.
Por si u krye ekzekutimi? Sipas të dhënave të siguruara nga grupi hetimor, autori është afruar me motor drejt zonës ku ndodhej Artan Myrtaj dhe ka qëlluar fillimisht me një pistoletë të pajisur me silenciator. Pas të shtënave të para, Artan Myrtaj ka mundur të largohet për disa metra, në përpjekje për t’i shpëtuar autorit. Në këtë moment, arma e parë dyshohet se është bllokuar. Autori ka nxjerrë armën e dytë, të cilën e mbante në dorën e djathtë, dhe ka vijuar të qëllojë drejt 44-vjeçarit, duke e lënë të vrarë. Më pas, autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke hipur në motorin e drejtuar nga bashkëpunëtori i tij.
Në foton tjetër shfaqet drejtuesi i motorit, i cili kishte targa greke. Ai dyshohet se ka luajtur rolin e transportuesit, duke ndihmuar autorin të largohej menjëherë pas ekzekutimit. Nga Saranda, dyshohet se dy autorët janë drejtuar në aksin drejt Konispolit. Hetuesit nuk përjashtojnë as pistën që ata të kenë kaluar ilegalisht kufirin dhe të jenë larguar drejt Greqisë.
Artan Myrtaj u ekzekutua paraditen e së dielës, më 20 shtator, në zonën e njohur si ish-Agjencia në Sarandë. Në atentat mbeti i plagosur edhe një 73-vjeçar. Hetimi është përqendruar te konfliktet e mëparshme të Myrtajt.
Për zbardhjen e atentatit, grupi hetimor ka marrë në pyetje më shumë se 30 persona dhe ka analizuar pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit të autorëve. Deri më tani, autorët nuk janë arrestuar.

Top Channel