Me skafandër në kokë dhe armë në dorë, foto e autorit të dyshuar të vrasjes së Artan Myrtajt në Sarandë

Vizion Plus ka siguruar foton e autorit të dyshuar të vrasjes së 44-vjeçarit Artan Myrtaj në Sarandë.
Në pamje, personi shfaqet i maskuar me një skafandër të zezë, i veshur me një xhaketë ngjyrë ulliri dhe pantallona të zeza. Ai duket teksa largohet pranë një automjeti, ndërsa në dorën e djathtë mban një objekt që ngjan me një armë zjarri.
Pamja dyshohet se është fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi vrasja.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 20 shtator, në zonën e njohur si “ish-Agjencia”.
Pamjet filmike kanë dokumentuar edhe dinamikën e ngjarjes. Myrtaj fillimisht shkon në një prej lokaleve të zonës, ku konsumon një kafe. Më pas, dyshohet se pikas autorët, të cilët besohet se janë dy persona, dhe tenton të largohet.
Por ai ndiqet nga dy personat dhe qëllohet me breshëri plumbash. Si pasojë e plagëve të marra, 44-vjeçari humb jetën në vendngjarje.
Një ditë pas vrasjes, policia shoqëroi 20 persona, mes tyre dëshmitarë të ngjarjes, kalimtarë që ndodheshin në zonë në momentin e krimit, si dhe familjarë të viktimës.
Por sot, më 25 shtator, pesë ditë pas vrasjes, autorët ende nuk janë identifikuar dhe arrestuar nga policia.




