Gushti sjell rekord lëvizjesh: 2.4 milionë të huaj vizituan vendin vetëm gjatë këtij muaji

25 Shtator 2026, 14:40Turizëm TEMA
Gushti sjell rekord lëvizjesh: 2.4 milionë të huaj vizituan

Muaji gusht vijon të mbetet një nga periudhat më të ngarkuara të vitit për lëvizjet në kufijtë e Shqipërisë. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë këtij muaji në territorin e vendit kanë hyrë rreth 3.45 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 2.7% krahasuar me gushtin e një viti më parë.


Pjesën më të madhe të hyrjeve e përbëjnë shtetasit e huaj. Në gusht, në Shqipëri kanë hyrë rreth 2.4 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 2% në raport me të njëjtin muaj të vitit 2025. Ndërkohë, hyrjet e shtetasve shqiptarë kanë qenë rreth 1 milion, duke u rritur me 4.4%.

Shifrat tregojnë se fluksi i lëvizjeve ka qenë i lartë në të dyja drejtimet, pasi edhe daljet nga territori i Shqipërisë kanë shënuar rritje. Gjatë gushtit rezultojnë 3.5 milion dalje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, ose 7.1% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Edhe në këtë tregues, shtetasit e huaj përbëjnë pjesën më të madhe të lëvizjeve. Rreth 2.5 milionë shtetas të huaj kanë dalë nga Shqipëria gjatë gushtit, me një rritje prej 7.5%, ndërsa daljet e shtetasve shqiptarë kanë qenë rreth 1 milion, duke u rritur me 6.1%.

Nëse shifrat zgjerohen në periudhën janar-gusht, fluksi bëhet edhe më i dukshëm. Gjatë tetë muajve të parë të vitit, në Shqipëri kanë hyrë rreth 15.4 milionë shtetas, ku rreth 9.4 milionë janë shtetas të huaj. Hyrjet e tyre janë rritur me 5.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, edhe daljet e shtetasve të huaj nga Shqipëria kanë shënuar rritje. Në tetë muaj, rreth 9.3 milionë shtetas të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i vendit, me një rritje prej 5.8%.

Gushti, si një nga muajt kryesorë të sezonit turistik veror, tradicionalisht shoqërohet me lëvizje të larta në pikat kufitare. Përveç turistëve të huaj që zgjedhin Shqipërinë për pushime, në këtë periudhë rritet edhe lëvizja e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe kthehen për pushime apo për të vizituar familjarët.

Lini një Përgjigje