Goditet rrjeti neo-nazist në Itali, arrestohen 14 adoleshentë dhe 3 të rritur, ja çfarë ndodhi

Një operacion i policisë italiane ka çuar në arrestimin e 14 adoleshentëve dhe tre të rriturve, të dyshuar se mbështesnin ideologjinë neo-naziste dhe po përgatisnin sulme terroriste në Itali.
Sipas hetimeve, të dyshuarit ishin aktivë në grupet "New European Order" dhe "Italian Fascist Front". Në bisedat e tyre online shpërndanin propagandë naziste, video të vrasjeve masive, si edhe udhëzime për ndërtimin e bombave artizanale.
Autoritetet thonë se në komunikimet e tyre u gjetën edhe manuale për rritjen e fuqisë shkatërruese të mjeteve shpërthyese, si dhe udhëzime për përdorimin e armëve të ftohta dhe armëve të zjarrit.
Të arrestuarit jetonin në zona të ndryshme të Italisë dhe akuzohen për nxitje të kryerjes së veprave penale, propagandë dhe nxitje të urrejtjes mbi baza racore, etnike e fetare, si edhe përgatitje të veprimtarive me qëllime terroriste.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi thika dhe armë të tjera të ftohta, flamuj dhe materiale me simbole naziste, si edhe telefona, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike që, sipas hetuesve, përdoreshin për shpërndarjen e propagandës.


