Rusia vazhdon sulmet ajrore ndaj Ukrainës me një flotë dronësh në zgjerim – nga Shahed-136 te modelet me motor reaktiv Geran-4 dhe Geran-5 – ndërkohë që rrit prodhimin në Alabuga. Pas më shumë se katër vitesh luftë, teknologjia dhe shpenzimet për pajisje ushtarake kanë evoluar ndjeshëm. Një sërë dronësh rusë janë pikasur duke fluturuar mbi territorin e Bashkimit Evropian. Ka pasur shkelje të hapësirës ajrore në Poloni dhe Bullgari, ndonëse, sipas një raporti të CIA-s, situata mund të bëhet më komplekse. Informacionet më të fundit nga CIA e bëjnë të qartë se ekziston rreziku i sulmeve me dronë rusë ndaj Spanjës, Francës apo Italisë, të lëshuar nga anije që i përkasin "flotës hije" në Mesdhe. Pjesa më e madhe e flotës së dronëve të Rusisë vjen nga Zona Ekonomike Speciale "Alabuga" në Tatarstan, rreth 1,200 kilometra larg kufirit ukrainas. Kompleksi shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 2.8 milionë metrash katrorë por goditjet ukrainase ndaj kompleksit duket se e kanë detyruar Rusinë ta zhvendosë pjesën më të madhe të kësaj zinxhir-prodhimi nën tokë. Sipas mediave ruse të cituara nga revista "The Economist", prodhimi ditor i dronëve "Geran-2" e kalon tashmë shifrën prej 100 njësish, me plane për të arritur në 500 njësi në ditë. Dronët "Geran-2" janë sistemet që njihen më gjerësisht si "Shahed-136". Sa i përket vëllimit të përgjithshëm, vlerësimet ndryshojnë, por të gjitha tregojnë të njëjtin trend. Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare llogariti se në mars të vitit 2026 Rusia prodhonte rreth 5,500 dronë në muaj, ndërsa shërbimi i inteligjencës ushtarake ukrainase vlerësoi se prodhimi i muajit gusht ishte rreth 3,000 dronë të modeleve "Geran-4" e "Geran-5" dhe rreth 2,800 dronë "Geran-2" në muaj. Ushtria ruse ka në dispozicion një numër të madh dronësh, disa prej të cilëve kanë një rreze veprimi deri në 1.000 kilometra; kjo do të thotë se vlerësimet e CIA-s mund ta nënvlerësojnë në fakt kërcënimin e një sulmi të mundshëm ndaj Spanjës, Francës apo Italisë nga ana e Mesdheut. Nga një anije e "flotës hije" në Mesdhe, ushtria ruse mund të lëshojë dronët Geran-2, Geran-3, Geran-4 dhe Geran-5, të gjithë të aftë për të transportuar ngarkesë shpërthyese drejt objektivave që ndodhen në një distancë deri në 1.000 kilometra.