Dogana e Malit të Zi njoftoi më 25 shtator se ka ndaluar në Portin e Tivarit një kontejner me mish të ngrirë gjedhi me afat të skaduar, të destinuar për kompaninë “Apetit SHPK” nga Kosova.
Ky kontejner, sipas njoftimit, përmbante mbi 24 tonë peshë të përgjithshme të mishit, të shpërndarë në rreth 1.300 pako.
Sipas autoriteteve malazeze afati i përdorimit të mishit kishte skaduar më 14 maj të këtij viti.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar kompaninë “Apetiti SHPK” për të marrë koment lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Ky është rasti i dytë i njoftuar nga autoritetet doganore malazeze, pas ndalimit paraprak të tre kontejnerëve me mish gjedhi, me peshë bruto prej rreth 77.8 tonësh.
Në rastin e mëparshëm, sipas Doganës malazeze, “etiketat origjinale që tregonin afatin e skaduar ishin hequr dhe zëvendësuar me etiketa që shënonin një afat tjetër përdorimi”.
Sipas Doganës, mishi nga këta tre kontejnerë do të asgjësohet pas përfundimit të procedurave ligjore.
Vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti, mbi 50 milionë euro mish gjedhi dhe pule janë importuar në Kosovë nga Brazili.
Ndërkaq nga 3 shtatori, Bashkimi Evropian i ka vënë kufizime importit të një pjesë e eksporteve me origjinë shtazore nga Brazili
Arsyeja lidhet me rregullat e BE-së për përdorimin e antimikrobikëve te kafshët që përfundojnë në zinxhirin ushqimor. /REL














