Elton Shahini
TIRANË- Shefi i Komisariatit të Policisë së Krujës, Elton Shahini, ka reaguar lidhur me incidentin ku u përfshi në ditët e fundit të korrikut 2026, pamjet e të cilit bënë xhiro në rrjet. Duke folur për Top Channel, Shahini ka dhënë versionin e tij për rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes.
Shefi i Komisariatit të Krujës ka treguar se në momentin e ngjarjes ishte jashtë orarit të punës në fundjavë dhe po udhëtonte me motor drejt plazhit. Sipas tij, drejtuesi i një automjeti, i cili shihet edhe në video ka kryer manovra të rrezikshme dhe e ka goditur me pasqyrën e makinës.
“Ka qenë fundjavë, ditë pushimi zyrtare. Kam qenë duke shkuar në plazh, isha duke ecur me motor, isha në punën time. Në ato momente, shoferi që duket në video ka qenë duke ecur në mënyrë të papërgjegjshme në rrugë dhe bënte manovra të rrezikshme. Kur më ka kaluar pranë, më ka goditur me pasqyrë”, tha Shahini.
Sipas shefit të Komisariatit të Krujës, mes tij dhe drejtuesit të automjetit ka pasur më pas një përplasje verbale. Ai mohon se ka kërcënuar apo ka ushtruar dhunë fizike ndaj personit tjetër të përfshirë në incident. Shahini thekson gjithashtu se, megjithëse ishte civil dhe jashtë orarit zyrtar të punës, nuk e përdori autoritetin e tij si drejtues i komisariatit të policisë së Krujës gjatë konfliktit.
“Më shau, e shava. Nuk e kam kërcënuar dhe as kam ushtruar dhunë fizike. Pavarësisht dhunës fizike dhe fyerjeve ndaj meje, në asnjë moment nuk kam përdorur autoritetin tim zyrtar, nuk kam kërcënuar me postin që mbaj dhe nuk jam përgjigjur me dhunë fizike”, tha ndër të tjera shefi i Komisariatit të Krujës./Dosja.al