Policia ka dhënë detajet e para lidhur me plagosjen me armë zjarri të ndodhur në Tiranë.
Sipas informacionit paraprak zyrtar, shtetasi kosovar Gjenk Karabeg, 33 vjeç, është paraqitur rreth orës 14:35 në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se është plagosur me armë zjarri në këmbë.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Egnatia”, pas një konflikti për motive të dobëta.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për dokumentimin e saj ligjor.













