VIDEO/ E ndjek me vrap disa metra, më pas e vret dhe ikën me motor, pamjet nga atentati në Sarandë

Pamje të reja kanë dalë në dritë nga atentati ndaj Artan Myrtajt, i njohur si “Tani i Ruzhdiut”, i ekzekutuar më 20 shtator në zonën e ish-Agjencisë në Sarandë.
Në videon e siguruar nga Vizion Plus, Myrtaj shihet teksa del nga një lokal, ndërsa një person i veshur me të zeza dhe me skafandër i afrohet dhe tenton ta qëllojë. Sipas pamjeve, arma e parë duket se bllokohet.
Autori më pas nxjerr një tjetër armë dhe e ndjek viktimën për disa metra me vrap, duke e qëlluar. Pas atentatit, ai largohet nga vendngjarja me ndihmën e një personi tjetër, i cili e pret me motor me targa greke.
Sipas hetimeve, dy autorët dyshohet se janë larguar nga Saranda në drejtim të Konispolit. Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që ata të kenë kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin dhe të jenë larguar drejt Greqisë.
Në atentat mbeti i plagosur edhe një 73-vjeçar.
Për zbardhjen e ngjarjes, hetuesit kanë marrë në pyetje më shumë se 30 persona dhe kanë sekuestruar e analizuar pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë rrugës së ndjekur nga autorët. Deri më tani, autorët e dyshuar nuk janë arrestuar.
Hetimi është përqendruar edhe te konfliktet e mëparshme të Artan Myrtajt, ndërsa vijojnë përpjekjet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.




