“Ky vend e tradhtoi Hashim Thaçin”, Rama nga SHBA: Nuk u bë më e mira për George Washington-in e Kosovës

25/09/2026 16:05

Kryeministri Edi Rama, gjatë adresimit të tij në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, foli për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe kujtoi edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke shprehur keqardhje për mungesën e tij në këtë aktivitet.

“Po kështu më bën të vuaj mungesën e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar edhe nën strehën e tij. Ai është Hashim Thaçi”, u shpreh Rama.

Rama tha se Thaçi nuk është sot pjesë e këtij takimi, duke e lidhur këtë me atë që e cilësoi si një tradhti ndaj tij dhe duke përmendur në këtë kontekst Joe Biden dhe gjeneralin Wesley Clark.

“Më lejoni të them ca fjalë pa mbajtur një fjalë tjetër të gjatë. Dua së pari të falenderoj Ilirin dhe Martinin për këtë ftesë bujare. Dhe dua po ashtu t’i uroj një mirëseardhje të ngrohtë si pjesë e komunitetit shqiptar këtu, një miku të dashur, i cili nuk është pjesë e komunitetit tonë, por mban barrën për t’u marrë me komunitetin tone, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Mickoski.

Dua të shpreh kënaqësinë që ndaj këtë moment sonte me Glaukun, me Përparimin, me kryetarin e dashur Rama të Prishtinës.

I kërkoj sidoqoftë ndjesë gjithkujt që ndoshta do ndihet i shpërfillur, por më duhet të them që gjëja më e mirë që mund të më ndodhte sot ishte të gjendesha ulur krah “kumbarit” të komunitetit shqiptar zotit Sal Rusi. Meqë ra fjala për Sal Rusin dhe familjen e tij dhe kënaqësinë që i takova ata këtu sot, po kështu më bën të vuaj mungesën e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar edhe nën strehën e tij.

Ai është Hashim Thaçi. Ai nuk është me ne sot këtu dhe ai nuk mund të jetë sot këtu sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Bideni që emërtoi George Washingtonin e Kosovës e tradhëtoi. Sepse edhe pse gjenerali Clark e disa miq të shkëlqyer amerikanë bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin, ‘’George Washingtonin e Kosovës’’ dhe kjo s’më bën të ndihem mirë dhe dua ta ndaj me ju dhe do të ndalem këtu sepse nuk dua të them më shumë.

Askush nuk duhet të më keqkuptojë sepse kur them “tradhëtuar’’ e kam fjalën, ne jemi të gjithë shumë të vegjël edhe së bashku, nuk jemi të mëdhenj, por ne kemi kremtuar e do të kremtojmë gjithmonë faktin që si shqiptarë, jemi miq me më të mëdhenjtë e më të fortët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndaj ndihem i tradhëtuar sepse jam i sigurtë që ky vend mund të kishte bërë më shumë. E së pari, e mbi të gjitha duke mos lejuar që kjo farsë të niste… edhe, gjeneral ndjesë, ju jam mirënjohës për gjithçka keni bërë në kapacitetin tuaj personal dhe më kujtohet që hera e fundit që u takuam përpara së sotmes ishte në Hagë në një restorant. Ju ishit atje edhe unë po ashtu, takohemi sërish sonte, por të dy në fakt shohim zhgënjyem një mik të madh, një udhëheqës të madh.

Më lini të ndryshoj temë, të vazhdoj me atë çfarë u përpoq të thoshte Martini për mua, po nuk ka të bëjë me mua. Ka të bëjë me vendin tonë, me atdheun tonë. Ka të bëjë me faktin se sa shumë ka ndryshuar përgjatë këtyre viteve. Ka të bëjë me faktin se sa shumë sonte, aktualisht na duhet të përballemi me një fakt shumë të thjeshtë që askush nuk ta fal suksesin. Dhe po, është viti i pestë a i gjashtë që kemi aeroportin më të madh në rajon, duke qenë shumë i madh, jo vetëm në terma relative, që është aeroporti me rritjen më të lartë në Europë, që është prej një sërë vitesh, por po kështu edhe në shifra absolute, më shumë udhëtarë se aeroporti që ka qenë gjithmonë më i madhi në rajon, më i madhi, i Beogradit.
Dhe do të vazhdojë sepse është vetëm fillimi. Sigurisht kjo nuk është shumë e thjeshtë që ta përtypin të gjithë, kush jemi ne, kush është Shqipëria që të jetë e aftë të rritet e të tregojë një të tillë kapacitet e aftësi për ndryshim.

Sigurisht, ka forca që nuk kanë qejf të na shohin kështu dhe nuk po përpiqem të them që nuk kemi mangësi e nuk po përpiqem të them që nuk kemi probleme”, tha Rama.

Top Channel