Polemika të forta po rrethojnë librin e Charles Spencer, vëllait të Princeshës Diana, përpara publikimit të tij.
Në librin me titull “Kënga e mjellmës-Motra ime Diana”, Spencer rrëfen ngjarje nga periudha pas vdekjes së saj në vitin 1997 dhe ngre akuza të rënda ndaj mbretit Charles, të cilat Pallati Mbretëror i kundërshtoi menjëherë. Pjesë të librit u publikuan paraprakisht nga Daily Mail, duke nxitur reagime të ashpra.
Spencer tregon për një telefonatë me Charlesin pas vdekjes së Dianës, në të cilën diskutohej nëse dy djemtë e saj duhej të ecnin pas arkivolit gjatë funeralit. Sipas Spencerit, Charles, asokohe princ, e mbështetës këtë ide, ndërsa ai vetë ishte kundër.
Biseda, nga sa theksohet në libër, u tensionua dhe Charles akuzoi familjen Spencer se nuk kishte ndjenjën e tyre. Më pas, ai tha me zemërim: “Dianën, shumë shpejt do ta harrojmë.” Pallati Mbretëror reagoi brenda një kohe shumë të shkurtër, duke deklaruar se mbreti e kuptonte se pikëllimi i një vëllai mund të ndikojë, edhe pas shumë vitesh, në arsyetimin, gjykimin dhe kujtesën e tij. Ky reagim u interpretua si një kundërshtim i drejtpërdrejtë i versionit të Spencerit.
Një reagim kaq i shpejtë dhe i ashpër është i pazakontë për familjen mbretërore, e cila zakonisht shmang komentet publike mbi polemikat. Spencer bën edhe një pretendim tjetër të fortë: ai thotë se, gjatë një bisede telefonike pas vdekjes së Dianës, Charles tingëllonte i lehtësuar dhe madje i gëzuar kur mori lajmin. I vëllai i princeshës këmbëngul se çdo detaj në libër është përshkruar sipas mënyrës se si ai e ka përjetuar dhe kujtuar atë periudhë.
Debati vjen në një kohë kur familja mbretërore është përballur me një sërë polemikash, përfshirë çështjet që lidhen me Princin Andrew dhe konfliktet e vazhdueshme mes Princit Harry dhe familjes mbretërore.