Sport

Ish futbollisti i Zvicrës i del në krah Xhakës: Duhet të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit nëse…

Granit Xhaka në ditët e fundit ka qenë në vorbullën e polemikave pas hetimeve ndaj tij në lidhje me çertifikatën e vaksinimit ndaj Covid 19. Mesfushori pranoi se kishte blerë një çertifikatë të tillë dhe pas një akordi me Federatën Zvicerane u vendos që ai të qëndronte jashtë skuadre në ndeshjet e Nations League.

Megjithatë ka nga ata që i dalin në mbrojtje kapitenit të skuadrës helvete siç është rasti i ish futbollistit të kësaj skuadre Benjamin Huggel.

Ky i fundit në një intervistë për  “Neue Zürcher Zeitung” deklaroi se Granit Xhaka duhet të vazhdojë të jetë ende kapiten i kombëtares zvicerane, nëse çështja nuk sjell pasoja të tjera juridike apo sportive.

‘Nëse nuk ka pasoja të tjera juridiko-sportive dhe çështja trajtohet ligjërisht si e mbyllur në planin penal, unë them krejt qartë: Po-tha teksa iu përgjigj pyetjes nëse Xhaka duhet të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit- Kapiteni caktohet nga skuadra dhe nga trajneri, jo nga opinioni publik. Nëse trajneri kombëtar Murat Yakin dhe këshilli i skuadrës, pas një bisede të sinqertë dhe të hapur, arrijnë në përfundimin se Xhaka duhet të vazhdojë të jetë kapiteni i tyre, unë nuk shoh asgjë që mund ta pengojë këtë’ .

Huggel shtoi se çështja e certifikatës së vaksinimit nuk duhet të lidhet me mënyrën se si Xhaka sillet në fushën e lojës.

‘Për mua, një certifikatë e falsifikuar e Covidit nuk do të ishte në asnjë mënyrë arsye për të mos i besuar më si kapiten në fushë. Falsifikimi i pretenduar i dokumentit nuk ka asnjë lidhje me sjelljen e Xhakës në fushë-tha ai.