Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka mbërritur këtë të premte në Tiranë.
Sipas mediave, ceremonia e dorëzimit të letrave kredenciale do të zhvillohet të shtunën, në një takim me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj.
Sipas axhendës, ceremonia do të zhvillohet në orën 11:00 në Pallatin e Brigadave. Më pas, pritet të zhvillohet një takim kokë më kokë mes Presidentit Begaj dhe ambasadorit amerikan Wendt.
Wendt u konfirmua në qershor nga Senati i SHBA-së me 51 vota pro dhe 47 kundër, duke marrë miratimin përfundimtar për detyrën e tij diplomatike.
Kandidatura e tij kishte marrë më herët mbështetjen e Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit Amerikan, me 19 vota pro dhe 3 kundër, duke i hapur rrugën votimit përfundimtar në Senat.
Wendt ka një karrierë prej më shumë se tri dekadash në ushtri dhe në strukturat ndërkombëtare të sigurisë. Ai është oficer i pensionuar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, me mbi 34 vite shërbim.
Gjatë karrierës së tij, Wendt ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe ka mbajtur poste të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Paqësorit.
Në periudhën 2017–2019, ai ka shërbyer si koordinator i sigurisë së SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez, ndërsa më herët ka mbajtur edhe detyrën e shefit të Shtabit në Komandën e Paqësorit të SHBA-së.
Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Shkollën Pasuniversitare.


