Bota

Papa Leone XIV mbërrin në Francë, pritet nga Macron dhe bashkëshortja e tij në Pallatin Élysée

Papa Leone XIV ka mbërritur në Francë, duke nisur vizitën e tij të parë shtetërore në këtë vend, 18 vjet pas vizitës së fundit papnore. Papa u prit në Paris nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, në Pallatin Élysée.

Turma njerëzish kishin dalë në rrugët e kryeqytetit francez për të përshëndetur Papën, ndërsa për pritjen zyrtare në rezidencën e presidentit u shtrua tapeti i kuq.

Gjatë vizitës së tij disa ditore, Leone XIV pritet të zhvillojë një sërë takimesh dhe aktivitetesh, me fokus te e ardhmja e Europës, inteligjenca artificiale dhe roli i Kishës Katolike.

Një prej momenteve kryesore të vizitës pritet të jetë fjalimi i Papës në UNESCO, ku do të flasë për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në shoqëri. Ai do të udhëtojë gjithashtu drejt Metz-it, ku pritet të diskutojë për të ardhmen e Europës dhe idenë e një Europe të bashkuar.

Në axhendën e vizitës janë edhe Katedralja Notre-Dame në Paris dhe faltorja katolike e Lourdes.

Vizita vjen gjithashtu në një periudhë kur Kisha Katolike në Francë përballet me pasojat e skandaleve të abuzimit, çështje që pritet të jetë pjesë e mesazheve të Papës gjatë qëndrimit në vend.