Pamjet e kamerave të sigurisë kanë zbardhur detaje të reja nga atentati që i mori jetën Artan Myrtajt, i njohur si “Tani i Ruzhdiut”, mëngjesin e 20 shtatorit në zonën e ish-Agjencisë në Sarandë.
Në pamje, viktima shihet teksa del nga lokali, ndërsa një person i veshur me të zeza dhe me skafandër në kokë i afrohet dhe tenton të hap zjarr. Autori ka qëlluar fillimisht me një pistoletë me silenciator, por arma dyshohet se është bllokuar.
Në këtë moment, Myrtaj ka tentuar të largohet me vrap për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave. Por autori nuk është ndalur. Ai ka përdorur armën e dytë që mbante në dorën e djathtë dhe ka vijuar ta ndjekë, duke e qëlluar për vdekje vetëm pak metra më tutje.
Pas ekzekutimit, autori është larguar me motor, ndërsa drejtuesi i mjetit dyshohet se e ka ndihmuar për t’u larguar nga vendngjarja. Motori kishte targa greke.
Sipas hetuesve, dy autorët dyshohet se janë drejtuar nga Saranda në aksin e Konispolit. Nuk përjashtohet mundësia që pas largimit nga zona ata të kenë kaluar ilegalisht kufirin dhe të jenë larguar drejt Greqisë.
Në atentat mbeti i plagosur edhe një 73-vjeçar, i cili ndodhej rastësisht në zonë.