Deputetja Marjana Koçeku ka komentuar një video të publikuar në rrjetet sociale nga shqiptarë në New York, ku shfaqen kryeministri Edi Rama dhe delegacioni i tij pranë hotelit ku po qëndrojnë.
Sipas pretendimit të Koçekut, hoteli në zonën e Tribeca-s, ku është akomoduar Rama, ka dhoma me një çmim që shkon në rreth 15 mijë dollarë për natë. Deputetja e ka krahasuar këtë shumë me të ardhurat e pensionistëve shqiptarë dhe ka kërkuar të sqarohet se kush po e paguan qëndrimin.
Të lidhura
None found
Koçeku thekson se një shumë e tillë do të ishte e barabartë me rreth 60 muaj pension për një pensionist shqiptar, nëse çmimi i përmendur rezulton i saktë.
“Për 511 mijë pensionistë shqiptarë, kjo do të thotë rreth 60 muaj pension. E unë nuk besoj se e ka marrë dhomën më të vogël”, është shprehur ajo.
Deputetja vëren se çështja kryesore nuk lidhet vetëm me vlerën e dhomës, por edhe me personin apo institucionin që do të mbulojë faturën.
“Kjo faturë do të thotë tre gjëra: ose këtë faturë e paguan shteti, domethënë ju, ose e paguan ai vetë. Dhe një foto e faturës e zgjidh muhabetin. Pse faturën e paguan dikush tjetër? Pyetja nuk është më sa, por kush?”, ka deklaruar Koçeku.
Sipas saj, videoja e publikuar nga shqiptarët në New York tregon se kryeministri po qëndron në një hotel në Tribeca, ku dhoma më e vogël është 22 metra katrorë dhe kushton rreth 15 mijë dollarë nata.
