Edi Rama
SHBA- Kryeministri Edi Rama foli për Bonot e Diasporës, të cilat sipas tij, synojnë të rrisin më tej përfshirjen dhe investimet e shqiptarëve jashtë vendit. Gjatë fjalës së tij në një takim në New York ai u shpreh se në Shqipëri do investohen miliarda jo vetëm me projektin e Kushner, por edhe me projekte më të mëdha.
Ai u ndal edhe tek korrupsioni, për të cilin tha se sistemi demokratik i Shqipërisë ka nisur të ndërtojë imunitet ndaj korrupsionit. Rama foli edhe për protesta, por jo për thelbin e tyre, duke thënë se qytetarët shqiptarë po protestojnë për biodiversitetin.
Rama deklaroi se Shqipëria ka kaluar nga një periudhë ku shihej me skepticizëm në Europë drejt një faze ku vendi duhet të synojë më shumë dhe të mos ketë frikë të ëndërrojë për të ardhmen.
Edi Rama: Është viti i pestë a i gjashtë që kemi aeroportin më të madh në rajon, duke qenë shumë i madh jo vetëm në terma relative, por edhe në shifra absolute, me më shumë udhëtarë se aeroporti i Beogradit, që ka qenë më i madhi në rajon. Kjo nuk është e thjeshtë që ta përtypin të gjithë. Kush është Shqipëria që të rritet dhe të tregojë këtë kapacitet për ndryshim? Ka forca që nuk kanë qejf të na shohin kështu.
Nuk po them që nuk kemi probleme. Ne shqiptarët, atë çfarë e shohim si problem, partnerët europianë e shohin si sukses. A mund të ketë një vend më shumë korrupsion në rast se korrupsioni luftohet çdo ditë? Lufta kundër korrupsionit të ndodhë çdo ditë. Jo, nuk është.
Sot, sistemi demokratik i Shqipërisë ka nisur të ndërtojë imunitet ndaj korrupsionit. Nuk është fjala thjesht për një udhëheqës apo qeveri, është për një sistem që funksionon, me gjithë nevojën për t’u rritur dhe pjekur më tej. Çdo ditë nuk është më vendi ku mund të ecësh dorë më dorë me korrupsionin.
Në një vend ku 10 vjet më parë kafshët dhe shpendët masakroheshin nga mijëra gjuetarë që kalonin nga kufiri ynë, që të bënin festë pa asnjë rregull dhe kontroll dhe të vrisnin majtas e djathtas, duke lënë qindra pirgje zogjsh të ngordhur, sot vendi proteston për biodiversitetin.
Pasi rritëm trefish numrin e shpendëve dhe kafshëve në vendin tonë, pasi rritëm shumëfish se kurrë më parë sipërfaqen e pyjeve të rikuperuara, tashmë kemi një ndjesi të re. Sot këtu është mirë, se mund të jetë më mirë, ashtu siç është sukses që jemi shumë herë më afër se ishim me diasporën shqiptare.
Po përgatisim Bonot e Diasporës që ta çojmë në një tjetër nivel përfshirjen e diasporës sa i përket pjesëmarrjes. E nisëm me 12 miliardë, janë vetëm 2 vjet dhe do të rriten më shumë, duke sjellë më shumë investime.
Do të përgatitemi të hedhim miliarda jo vetëm me projektin e Kushnerit, por edhe me projekte të mëdha. Kemi tejkaluar një epokë poshtërimi, ku ishim ata që tregoheshim me gisht në Europë. Na duhet të bëjmë zgjedhjen për të ëndërruar më tepër, pa pasur frikë./Dosja.al