Ministri Jaupaj: 16 biznese në Future2Tech, në fokus ripërdorimi dhe riciklimi i materialeve
Ripërdorimi, riciklimi dhe riqarkullimi i materialeve janë në qendër të prezantimit të 16 bizneseve shqiptare në panairin Future2Tech, ku Ministria e Mjedisit ka ngritur një stendë të dedikuar për ekonominë qarkulluese. Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, tha se sipërmarrjet pjesëmarrëse janë mbështetur përmes programit “EU for Circular Economy”, me synimin për të promovuar modele konkrete të ekonomisë qarkulluese në vend.
“Jam në ditën e dytë të panairit Future2Tech, ku Ministria e Mjedisit ka stendën e saj së bashku me 16 biznese që janë financuar nëpërmjet programit EU for Circular Economy”, u shpreh Jaupaj. Sipas ministrit, këto biznese po demonstrojnë se materialet që zakonisht do të përfundonin si mbetje mund të rikthehen në ciklin ekonomik dhe të shndërrohen në burime me vlerë.
“Me teknologji, riciklim dhe ripërdorim, ajo që dje do të përfundonte në landfill, sot merr vlerë të re, duke krijuar të ardhura, vende pune dhe më pak mbetje për mjedisin”, deklaroi ai. Mbështetja për sipërmarrjet e gjelbra, sipas Jaupajt, është realizuar përmes bashkëpunimit të institucioneve shqiptare, përfshirë Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, ndërsa në këtë kuadër ai përmendi edhe nismën “Dyfisho biznesin tënd”.
Ministri theksoi se kalimi drejt një ekonomie qarkulluese kërkon një ndryshim në mënyrën se si trajtohen materialet dhe mbetjet. “Ndryshimi i mendësisë, ripërdorimi, riciklimi dhe riqarkullimi i materialeve është e vetmja mënyrë për të reduktuar sasinë e mbetjeve në Shqipëri”, tha Jaupaj. Ai shtoi se mbështetja për sipërmarrjet që investojnë në modele të gjelbra synon të krijojë më shumë hapësira për zhvillimin e ekonomisë qarkulluese dhe zgjerimin e saj në Shqipëri.

