Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Nga Dubai në Belgjikë, i hapet rrugë ekstradimit të trafikantit shqiptar Eldi Dizdari, dy ditë më parë u arrestua shoku i tij (DETAJE)

Shkruar nga Newsbomb
Nga Dubai në Belgjikë, i hapet rrugë ekstradimit të
Ne foto: Eldi Dizdari

Eldi Dizdari alias Denis Matoshi, trafikanti shqiptar pjesë e trafikimit të drogës nga Amerika Latine raportohet se do të ekstradohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës, pas përfundimit të procedurave të gjata ligjor mes dy vendeve.

Lajmin e ka bërë me dije Gazet van Antwerpen, e cila shkruan se prokuroria vendase e cila ka konfirmuar vendimin, ndërsa 37-vjeçari Matoshi pritet të niset drejt Belgjikës aty ku dhe do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata e Antwerp-it.

Denis Matoshi i njohur ndryshe dhe me emrin Eldi Dizdari, për të cilin shpesh përdoret dhe nofka “shqiptari i gjatë”, konsiderohet nga belgët si një ndër personat që ka pasur në dorë drejtimin e organizatën kriminale të njohur me emrin “Kompania Bello”.

Autoritetet belge i kanë atribuar “Kompanisë Bello” lidhje me një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës. Prej vitesh çështja është hetuar dhe ndjekur me vëmendje nga autoritetet e huaja. Kështu ekstradimi i Eldi Dizarit vjen pas një procesi të zgjatur juridik në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ashtu siç kemi raportuar dhe ne më parë, Denis Matoshi, i njohur edhe si Eldi Dizdari, kërkohet edhe nga drejtësia në Shqipëri, pasi Prokuroria e Posaçme e akuzon atë si pjesë e grupit kriminal "Kompania Bello" i formuar nga rreth 14 klane kriminale shqiptare të cilat bashkëpunim për të mbushur me “pluhur të bardhë” me origjinë nga Amerika Latine, vende të shumta të Europës.

Kujtojmë se para dy ditësh është në pranga së fundmi një nga personat më të kërkuar të SPAK, trafikanti i kokainës Shpëtim Aliu, një prej figurave kyçe të një rrjeti të fuqishëm të trafikut ndërkombëtar të kokainës, i njohur ndryshe me nofkën "Salvadore", pjesë e grupit të Eldi Dizdarit.

Në sajë të hetimeve të kryera për zbardhjen e episodeve të ndryshme të trafikimit të kokainës nga grupi i Eldi Dizdarit, në qershorin e këtij viti SPAK njoftoi se janë dokumentuar pesë episode të mëdha nga ku janë sekuestruar në total afro 9 ton lëndë narkotike. Mes tyre spikasin ngarkesa prej 4.1 tonësh kokainë në portin e Roterdamit, mbi 2 ton në Ekuador, si dhe sasi të tjera të konsiderueshme të kapura në Belgjikë, Holandë dhe Kolumbi.

Sipas prokurorëve të posaçëm, fitimet e siguruara nga trafiku i drogës janë transferuar më pas në Shqipëri dhe janë investuar në kompani ndërtimi, hoteleri, pasuri të paluajtshme dhe aktivitete të tjera tregtare me qëllim fshehjen e origjinës së tyre kriminale.

Në kuadër të operacionit është urdhëruar një nga sekuestrimet më të mëdha pasurore të viteve të fundit. Me vendim të Gjykatës së Posaçme janë vendosur nën sekuestro preventive plot 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal i grupit.

Bëhet fjalë për dhjetëra kompani, qindra prona, vila luksoze, apartamente, njësi tregtare, hotele, toka, automjete, mjete lundruese dhe 209 llogari bankare. Mes pasurive të sekuestruara përfshihen prona në Tiranë, Durrës, Gjirin e Lalzit, Himarë, Sarandë, Shkodër, Lezhë dhe qytete të tjera të vendit.

Ndër asetet më të rëndësishme të vendosura nën sekuestro janë dhjetëra vila dhe apartamente në komplekse elitare, struktura hotelerie në zonat turistike të bregdetit, si dhe objekte me vlerë të lartë në kryeqytet.

Sipas SPAK, vlera paraprake e pasurive të sekuestruara llogaritet rreth 150 milionë euro, ndërsa verifikimet vijojnë për përcaktimin e vlerës së saktë të tyre.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese